“LSI shkoi për skrap”, Balla shpërthen ndaj Metës: “Përdhunoi institucionin e Presidencës”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka thënë sot në Kuvend se LSI ka shkuar për skrap. Ndërkohë, ai i është drejtuar PD-së, duke i kërkuar të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“LSI shkoi për skrap, ashtu siç e shkroi vetë fatin e saj. Sot, dua t’i them PD-së që rezultati i zgjedhjeve është ai që është në kuti e që çdo parti politike duhet ta lexojë. Se dhe ne nuk kemi pasur rezultatin që do kishim dëshiruar por kemi marrë atë minimalin. Se të gjithë e dinë se ne kemi humbur 1 mandat”, tha Balla.

Ndërkaq, Balla ka folur edhe për shkarkimin e Presidentit. Sipas tij, Meta ka përdhunuar institucionin e Presidencës në mënyrë të turpshme.

“Ilir Meta është një person që e ka përdhunuar institucionin e Presidencës në mënyrën më të turpshme. Në dokument gjendet çdo provë juridike për të justifikuar procedurën e shkarkimit. Ne e kemi theksuar edhe në rezolutën e parë për shkarkimin e Presidentit që duam që Shqipëria të ketë një president mbi palët dhe të punojë çdo ditë me të gjitha forcat në dobi të çuarjes para të integrimit. Ne nuk duam një president që ditën të jetë president dhe natën kryetar i shtabit elektoral të një partie.

Në 2021 Shqipëria meriton në hetim të plotë të sjellje së presidentit para dhe gjatë fushatës, duke nxjerrë në pah të gjitha problematikat që bien në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Në biem të gjithë dakord që thirrjet për dhunë ishin shkaku që çuan në veprime kriminale nga një pjesë e opozitës. Jam dëshmitar i një sjellje kriminale të PD në Elbasan që krijoi grupe të armatosura të cilat çuan në vrasjen e një qytetari autokton të Elbasanit dhe për mua ajo vrasje ka një detyrim për t’u zbardhur deri në detaj. Nga atentatori dhe deri te urdhëruesit e këtij akti kriminal. Mendoj që PD ka kohë që të distancohet nga këto grupe kriminale”, u shpreh Balla.

Ju mund të pëlqeni dhe këto