Shtohen 640 mln euro me para-pandeminë, depozitat arrijnë rekord historik në mars

Kursimet e bizneseve dhe individëve kanë arritur një rekord të ri në muajin mars, ndonëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar në krahasim me vitin e kaluar, kur kriza pandemike dhe pamundësia për të shpenzuar bënë që shqiptarët të linin para mënjanë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars stoku i depozitave arriti në 1.12 trilionë lekë, ose rreth 9 miliardë euro. Në krahasim me një muaj më parë kursimet në vend janë rritur më 0.5%.

Në krahasim me shkurtin 2020, përpara se të fillonte kriza pandemike, kursimet janë zgjeruar me 7.6%, ose 79.4 miliarrdë lekë (640 milionë euro) më shumë, duke shënuar ritmet më të larta të rritjes që nga viti 2012, për të njëjtat periudha kohore.

Gati 60% e rritjes vjetore ka ardhur nga depozitat në lekë, ndryshe nga tendenca e viteve të mëparshme, kur zgjerimi vinte nga valuta. Kjo tendencë sugjeron se depozitat po shtohen nga kursimet e brendshme dhe janë të ndikuara nga kriza e pandemisë. Gjatë periudhave të paqarta individët tentojnë të kursejnë, bizneset frenojnë investimet, çka reflektohet në rritjen e depozitave në banka.

Gjithsesi, në tre muajt e parë të vitit depozitat janë shtuar me ritme shumë më të ulëta në raport me 2020-n, duke sugjeruar një shtim të konsumit nga individët dhe rikthim të investimeve nga bizneset.

Në raport me shkurtin 2020, janë rritur si depozitat e biznesev (korporatave të tjera jo financiare) ashtu dhe të individëve. Këta të fundit i kanë lënë paratë në llogari pa afat, teksa normat e interest që janë më të ulëta se 1% për afatet 12 mujore të maturimit, nuk shërbejnë si nxitës për të mbyllur kursimet në banka.

Në fund të muajit mars, depozitat në lekë përbënin 46.3% të totalit, me një rritje të lehtë me gati një pikë përqindje në krahasim me shkurtin 2020, si rrjedhojë e shtimit më të shpejtë të kursimeve në monedhën vendase, në raport me valutën (kryesisht euro).

MONITOR

Ju mund të pëlqeni dhe këto