Rritet kredia me garanci sovrane gjatë tremujorit të parë

Bizneset rritën përdorimin e skemës së dytë të garancisë sovrane të qeverisë shqiptare në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, garancia e dhënë në favor të bizneseve për këtë skemë në fund të muajit mars arriti në 5.58 miliardë lekë, në rritje me rreth një miliardë lekë ose 21.8% që nga fillimi i vitit. Megjithëse shuma e përdorur pothuajse është rritur në tremujorët e fundit, ngelet ende larg shfrytëzimit të limitit të plotë prej 15 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare.

Kjo skemë fillimisht kishte afat fundin e vitit 2020, por në muajin janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë deri në 30 qershor 2021. Mbështetur në këtë skemë, qeveria merr përsipër të garantojë 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta marrë përsipër vetë banka kredituese.

Për një fond garancie prej 5.58 miliardë lekësh, portofoli maksimal i kredisë së gjeneruar mund të llogaritet në afërsisht 9.3 miliardë lekë. Përdorimi i këtij instrumenti ka qenë shumë i ndryshëm për banka të ndryshme, në varësi të rrezikut që secila prej tyre ka zgjedhur të marrë përsipër.

Për këtë arsye, në muajin mars qeveria shqiptare vendosi një rishpërndarje të tij drejt atyre bankave që e kishin shfrytëzuar pjesën e vendosur vitin e kaluar. Në maj të vitit të kaluar, ndarja e shumës së garancisë prej 15 miliardë lekësh ishte bërë në përpjesëtim me peshën që secila bankë zotëronte në tregun e kredisë. Sipas vendimit të ri, banka që mori pjesën më të madhe nga linja e garancisë u bë Raiffeisen Bank, me 3.9 miliardë lekë, e ndjekur nga Banka OTP Albania me 2.2 miliardë lekë, Credins me 1.5 miliardë lekë, Tirana Bank me 1.25 miliardë lekë dhe Intesa Sanpaolo me 1.2 miliardë lekë.

Ndërsa nga skema e parë e garancisë, që kishte si objekt mbulimin e shpenzimeve për pagat e punonjësve, bizneset në fund të muajit mars kishin përdorur 3.77 miliardë lekë, lekë nga fondi total prej 11 miliardë lekësh. Shuma e përdorur nga skema e parë e garancisë është në rënie, sepse ishte konceptuar si një formë mbështetje afatshkurtër për të siguruar shyerjen e pagave të punonjësve dhe afati i aplikimit u mbyll në mesin e vitit të kaluar. Një pjesë e kredive të dhëna në kuadrin e kësaj skeme janë amortizuar tashmë.

Në total, shuma e garancive sovrane të lëvruara nga qeveria shqiptare në favor të bizneseve ishte rreth 9.35 miliardë lekë. Ato përbëjnë rreth 69% të totalit të garancive të dhëna nga qeveria shqiptare, ndërsa ato në favor të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare që nga viti i kaluar janë ulur ndjeshëm.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto