Bien me 1.1 miliardë lekë dëmet pezull në tregun e sigurimeve

Pagesa e pjesës më të madhe të dëmeve nga tërmetet e vitit 2019, por edhe shlyerja në kohë e dëmeve në sigurimin motorik ka sjellë një rënie të mëtejshme të dëmeve pezull për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës për periudhën janar-mars 2021.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të muajit mars, dëmet pezull u ulën me 1.1 miliardë lekë, ose 14.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aktualisht, shoqëritë e Jo-Jetës kanë 6.6 miliardë lekë dëme pezull, ku kategorizohen dëmet në proces vlerësimi, dëmet e miratuara dhe ende të papaguara apo dëmet në proces gjyqësor.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u kërkon shoqërive të bëjnë kujdes dhe të mos lejojnë akumulimin e dëmeve, si edhe të shmangin dërgimin e procedurave në gjykatë, sidomos kur bëhet fjalë për dëme me vlerë të vogël. Në këtë rast, ulja e dëmeve pezull, si në vlerë, ashtu edhe në praktika dëmesh, nga 11.339 në 10.204 ëshë në linjë me presionin rregullator të AMF ndaj shoqërive të sigurimit për shlyerjen në kohë dhe pa vonesa të dëmeve ndaj personave të siguruar.

Në anën tjetër, në tregun e Jetës dëmet pezull janë rritur me rreth 50 milionë lekë, por në këtë segment vlera absolute e dëmeve është shumë e vogël krahasuar me Jo-Jetën për një shumë totale prej 242 milionë lekësh.

Tejkalimi i efektit të tërmetit bien në sy edhe në rënien e vlerës së dëmeve të paguara në 3-mujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të publikuara nga AMF, dëmet në total tregu ranë me 8.2%. Megjithatë është vënë re një rritje me mbi 50% e dëmeve motorike.

Gjithashtu, bazuar në shifrat e 3-mujorit të parë, tregu i sigurimeve duket se po i rikthehet normalitetit, me rritje të primeve të shkruara bruto. Edhe pse ka patur rënie të numrit të kontratave, kjo i atribuohet më së shumti masa kufizuese që janë në fuqi, që sjellin automatikisht rënie të sigurimit të shëndetit në udhëtim, i cili është ndikuesi kryesor në rënien e numrit të kontratave, por kanë shumë pak ndikim në nivelin e të ardhurave të tregu./Monitor.

Ju mund të pëlqeni dhe këto