AMF do të pezullojë ndarjen e fitimeve të kompanive të sigurimit për 2020

Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) pritet të pezullojë shpërndarjen e fitimeve të kompanive të sigurimit për vitin 2020.

Vendimi do të merret në mbledhjen e parashikuar për t’u mbajtur javën e ardhshme. Në prill të vitit të kaluar, Bordi i AMF-së urdhëroi shoqëritë e sigurimit të pezullojnë shpërndarjen e fitimit në formën e dividendëve, të dividendëve të ndërmjetëm ose në formën e pagesave të bazuara në pjesëmarrjen në fitim të anëtarëve të këshillit të administrimit të shoqërisë apo punonjësve të tjerë.

Me vendimin e ri që pritet të merret këtë vit, pritet që kjo masë të kufizohet për dividendët e vitit 2020, siç pati bërë në fillim të këtij viti edhe Banka e Shqipërisë.

Treguesit financiarë të tregut të sigurimeve për vitin e plotë financiar 2020 nuk janë ende të disponueshëm. Megjithatë, deri në fund të 9-mujorit performanca financiare e tregut ishte pozitive. Sipas të dhënave të AMF-së, për 9-mujorin 2020 kompanitë e sigurimit të jo-jetës kishin një fitim neto në vlerën e 1.04 miliardë lekëve, me një rënie të lehtë nga niveli prej 1.1 miliardë lekësh i shënuar për të njëjtën periudhë të vitit 2019. Madje, rezultati teknik, që përfshin fitimin vetëm nga aktiviteti sigurues, ishte më i lartë krahasuar me një vit më parë. Megjithë rritjen e ndjeshme të dëmeve për shkak të tërmeteve të vitit 2019, fatura e tyre u pagua kryesisht nga risiguruesit, pa rënduar shumë bilancet e shoqërive shqiptare të sigurimit.

Ndërkohë, për të njëjtën periudhë kompanitë e sigurimit të jetës i kanë zgjeruar fitimet. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ato realizuan një fitim neto në vlerën e rreth 160 milionë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i këtyre kompanive është rritur me 23%.

Tregu i sigurimeve u prek ndjeshëm nga pandemia, sidomos te produktet e lidhrua me lëvizjet ndërkufitare të shtetasve dhe mjeteve. Numri i kontratave të sigurimit pësoi rënie me 29%. Megjithatë, në vlerën e primeve të shkruara bruto rënia ishte ndjeshëm më e kufizuar, me 5.7%. Kjo shpjegohet me faktin që produkte si polica kufitare apo sigurimi i aksidenteve në udhëtim kanë prime sigurimi në vlera modeste, çka jep një ndikim më të vogël në volume. Boshti I tregut të sigurimeve ngelen sigurimet e brendshme motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, produkt që nuk u ndikua shumë nga pandemia./Monitor.

Ju mund të pëlqeni dhe këto