Ngatërroi vargjet e Fan Nolit me të Migjenit, Kryemadhi: “Nuk merrem më me poezi, po ia lë…”

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka sqaruar gafën që ka bërë sot teksa po recitonte vargjet e njohura të Fan Nolit në poezinë “Anës lumenjve”, duke thënë se janë të Migjenit.

Në një video në Instagram, Kryemadhi shfaqet me zëvendëskryetarin e LSI, Luan Ramën, ku kanë folur për ngatërresën e vargjeve.

Biseda me Luan Ramën:
Kryemadhi: Luan nuk merrem më me poezi se dhe sot në Vlorë që doja të recitoja Fan Nolin, e ngatërrova me Migjenin. Kështu që po t’i lë ty poezitë.
Luan Rama: Nuk është asgjë ngatërrimi, pasi dhe Noli dhe Migjeni dhe Ali Asllani dhe Ditëroi po të duash kanë qenë dhe mbeten referenca të mëdha atdhedashurie. Nëse Noli thotë; Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini Migjeni thotë; Oh si nuk kam një grusht të fuqishëm, Malit që z’ban zan mu në zemër me ja ngjesh dhe unë të kënaqem t’uj qesh (E përsërit në të njëjtën kohë me Kryemadhin). Ose; Thuaja rini, kangës më të bukur që di”, thotë Luan Rama.
Kryemadhi: Ndaj duhet Luani!
Luan Rama: Nga Vlora, edhe një herë po e them se këtu merr vlerë jo vetëm Noli, jo vetëm Migjeni, por fjala e çdo shqiptari.

“Ashtu sikurse e ka thënë edhe Migjeni: Ngrihuni dhe bjerini, korrini dhe shtypini të gjithë ata që grabisin qytetarët, që grabisin pronat e qytetarëve, të gjithë ata që grabisin bizneset tuaja duke ju gjobitur, të gjithë ata që marrin çdo ditë jetën tuaj, frymën tuaj, ajrin tuaj, sepse janë të pangopur, sepse nuk kanë dashurinë e familjes, sepse nuk kanë dhënë dashuri për familjen dhe për prindërit e tyre dhe kjo është arsyeja që ata e urrejnë popullin e tyre.”, tha Kryemadhi në fjalimin e saj sot në Vlorë.

Ju mund të pëlqeni dhe këto