Zhvillohet Kampionati Mbarëkombëtar i MMA-së, sfida emocionuese që mbajti të mbërthyer spektatorët/ Video

Federata Shqiptare e MMA-së ka zhvilluar kampionatin mbarëkombëtar të këtij sporti në pallatin e sportit “Feti Borova”, ku kanë marrë pjesë grupmosha dhe ekipe të ndryshme.

Një nga sfidat më të ashpra dhe emocionuese ishte kategoria 65 kilogramë mes sportistëve Kristi Zeka dhe Kristi Tanushi, ku doli triumfues ky i fundit me një diferencë prej dy pikësh.

 “Kam 6 ndeshje dhe shpresoj të shkoj sa më lart”, është shprehur Kristi Tanushi, ndërsa Zeka ka thënë:  “Ishte e vështirë por jam mësuar në këtë sport. Kundërshtari ishte më i miri dhe pak isha i lodhur nga rruga.”

Ekipi i Pogradecit mori performancën më të mirë në pentagon, ndërsa Griselda Torollari ishte fituesja e medaljes në kategorinë 47 kilogramë.

 “Është ndeshja ime e parë dhe emocionet bëjnë të vetat. Pasi fitova isha shume e lumtur”, ka thënë Torollari.

Ndërkaq, sfida e 17 vjeçarëve zgjati me tre raunde, ku në fund doli fitues Krios Hyseni. “Kisha përballë një kundërshtar me mjaft eksperiencë, por përgatitja dhe zemra bëjnë këtë që jam këtu”, është shprehur ai.

Me nokaut teknik në peshat e rënda fitues u shpall sportisti nga Shkodra Ergi Arrtunda.“U mundova me dhënë më të mirën time, ashtu siç më ka mësuar professor Elioni dhe këtë fitore ia dedikoi atij. Gjithçka që ai ka dhënë për mua, oraret e shumta, oraret e vona, oraret ekstra që më ka dedikuar”, ka thënë ai

Ndërkohë presidenti i federatës së MMA-së, Arjan Rizai, pas përfundimit të aktivitetit deklaroi: “Në fokusin kryesor kemi patur sportistët e rinj, por edhe ata që janë në rrugë e sipër. Qëllimi është t’i hapim derën, t’i hapim rrugën atyre të cilët dëshirojnë të meren me këtë sport. Ta bëjmë sa më masiv, sa më popullor që ky sport të jetë si të gjithë sportet e tjera.”

Ju mund të pëlqeni dhe këto