Rama duhet të shkojë tek origjina e buburrecave, të gjejë kush është primum movens?

Nga Arjan Çuri

Tashmë është bërë zakon që njerëzit, jo vetëm komunikojnë drejtpërsëdrejti me Kryeministrin në rrjetet sociale, me anë të komenteve të tyre, duke shfryrë mllefin për pakënaqësitë e çdo lloji, që kanë të bëjnë me qeverisjen, por që nga ana tjetër, po kënaqen pa fund me gjithëfarë lëvizjesh alla koloseane, si të perandorëve romakë dikur, që ulnin ose ngrinin gishtin e madh të dorës, për të falur apo dënuar një gladiator me vdekje. Dhe perandorët që ishin mjeshtër të politikës dhe vetadhurues deri në hyjnizim të vetvetes, siguroheshin, që t’ua linin njerëzve të pranishëm, ose më mirë të bënin sikur ua linin, gjykimin për jetën apo ekzekutimin e luftëtarëve argëtues. Kështu duket sikur po ndodh me shkarkimet në masë të drejtorëve në Shkodrën loke dhe në Vlorën me kurorë, të atyre që Rama i quajti buburrecë, që po e gërryejnë lisin e tij, pa mëshirë.

Në këtë fazë, Kryeministri duhet të shkojë tek origjina e problemit, dhe jo thjesht tek konstatimi i tij, nëpërmjet bërtitjes publike të simptomave, pasi simptomat mund t’i kurosh përkohësisht, duke shkarkuar në masë drejtorë, por gjaku i vjetër do ta prishë të riun, nëse nuk hiqet e flaket tej, çdo qelizë e infektuar. Kjo i ka ndodhur Edi Ramës, këtu e gjashtë vjet, edhe pse s’ka lënë drejtorë pa shkarkuar e buburrec pa shkelur, me këmbën e tij të madhe.

Shqetësimi i vetëm që kishin filozofët e lashtësisë, ishte, jo që të konstatonin problemet apo realitetin, pasi atë e bënin edhe vdekatarët e zakonshëm, por që të shkonin tek arhe, tek shkaku, apo tek principi i gjerave, objekteve, apo edhe vetë jetës. Kështu, Talesi i Miletit, që ishte një prej shtatë të urtëve të Greqisë, matematicien dhe astronom, u mor dhe u preokupua vetëm me një gjë, me origjinën e universit dhe të vetë jetës. Vetë Aristoteli në studimin e tij të ligjësisë së shkakësisë do t’i referohej Talesit me respekt absolut, duke na zbuluar se me anë të meditimit dhe vëzhgimit filozofik, ai konsideroi si origjinë absolute të natyrës dhe materies, vetëm një element, ujin. Përfytyroni se ky mendim, i thënë që në shekullin e shtatë para Krishtit, është sot në themel të çdo sonde të dërguar në hapësirë, ku për të gjurmuar jetën, astronomët nuk bëjnë asgjë tjetër veçse gjurmojnë praninë e ujit, pasi është vërtetuar tashmë ideja e Talesit, se jeta lind vetëm brenda ujërave.

Në të njëjtën mënyrë mendimi, filozofët pasardhës u morën me ligje të shkakësisë, ligje që sot janë në qendër të shkencave natyrore e humane dhe që përdorën gjerësisht prej tyre për hetimin shkencor të realitetit. E aplikuar kjo metodologji e kauzalitetit, në shqetësimin që ka Kryeministri për të bërë shtet e për të shëruar administratën shtetërore nga buburrecat, që e kanë helmuar atë me korrupsion, do të mundte t’i jepte përgjigje pyetjes që ka kohë që e mundon: “A e korrupton njeriu sistemin, apo sistemi njeriun?”

Talesi i Miletit do ta shtynte timonerin tonë, ta çonte makinën e mendimit të tij, në një hetim më të thellë e të guximshëm të realitetit shtetëror. Rama, duhet të fillojë një udhëtim kontemplativ zinxhir, të shkakësisë së gjërave. Fillimin e ka bërë tashmë, administratën e prishin njerëzit, po njerëzit kush po i prish? Shkaku fillestar i çdo pasoje, është ai që i lëviz gjërat që varen prej tij. Kështu nëpunësi, drejtori, drejtori i drejtorëve, deputeti e ministri, lëvizin njeri-tjetrin, sipas një piramide hierarkike, në një ligjësi absolute shkak-pasojë. Dhe në fund të gjithë kësaj piramide, në majë të saj, vjen shkaku primar i gjërave, ai që lëviz çdo gjë tjetër, por që nuk lëviz vetë, pasi po të lëvizte vetë, do të kishte një shkak tjetër, sipër tij.

Aristoteli do ta quante këtë gjë, që ishte në maj të zinxhirit të tij kontemplativ të kauzalitetit si kinoun akineton (lëvizësi i palëvizshëm). Latinët këtë term do ta përkthenin si primum movens, i pari pra, që i lëviz të gjithë, por që nuk lëviz vetë, se nuk e lëviz dot askush. Kështu, sipas mandatimit të universit popull, të gjithë mund të lëvizin këto katër vjet në këtë shtet, përveç Kryeministrit që është i palëvizshëm, apo primum movens, që i lëviz ama të gjithë të tjerët.

Në këtë mënyrë, Rama dhe askush tjetër sipër tij, është emëruesi, sepse shkaku, i çdo ministri, deputeti, drejtori të madh e të vogël, dhe me radhë deri tek nëpunësi më i ulët i adminstratës. Prandaj, për të bërë shtet e administratë të shëndetshme, Rama duhet të mbështesë fort këmbët në një ratio shtetformuese, që e kërkon Kryeminsitrin të jetë në lartësinë e detyrës së tij. Vetëm kështu, ai do të shkaktojë në saktësi dhe në mënyrë të shëndetshme, çdo vartës të tij, prej të cilëve janë edhe buburrecat që po e gërryejnë lisin e gjatë dhe hijerëndë, nga brenda. Shkaqet e problemeve tona, nuk janë buburrecat, por ai që i përzgjedh ato, pikërisht sepse janë të tillë, pasi i ka nënshtruar në një metamorfozë të dhimbshme. Si kandrra kafkiane, ato janë të afta për t’i shërbyer padronit të tyre me çdo mjet. Madje janë trajnuar të bëjnë sikur ngordhin, sa herë që u kërkohet dorëheqja në mënyrë pompoze, duke përdorur si vrasës fals, insekticidin e propogandës qeveritare. Insektet në fjalë nuk tremben, pasi e dinë që shumë shpejt, do të riciklohen në pozicione më të favorshme.

Nga parashtrimi ynë, sipas kauzalitetit, Rama do të shpallej pa asnjë dyshim, si origjina apo nëna e të gjithë buburrecave. Natyra na mëson, që edhe pemët e forta bien, dhe sa herë që ka stuhi, shira e rrufe, lisat bien të parët, duke vrarë çfarë kapin ndënë vete, pikërisht sepse mendojnë që janë pemë të pamposhtura.

Ju mund të pëlqeni dhe këto