Flower
Flower

Një replikë për Batonin dhe gjithë mjeshtrave të doksa-s

Nga Arjan Curi

Njeriun, që prej kohërave të hershme, e ka shqetësuar fort, ideja, nëse ai e ka aftësinë për të shquar faktin prej opinionit, realitetin prej iluzionit. Platoni tek Teoria e Formave dhe bashkëkohësit e tij, ishin aq dyshues për këtë çështje, saqë mendonin, që jo vetëm njerëzit dhe idetë, por edhe objektet fizikë, nuk na shfaqen në formën e tyre të vërtetë, por në doksa-n e tyre, pra, në opinionin që ne kemi krijuar, apo na është krijuar për çka ndodhet rreth nesh. Për këtë arsye, njerëzit nuk do bien kurrë në një mendje, mbi një fakt, send a individ, për arsye se ata shohin vetëm nëpërmjet iluzionit të doksa-s. Çdo njohje apo dije, sipas filozofisë, kalon domosdoshmërisht nëpërmjet doksa-s, pra opinionit që na është gatuar nga faktorë të ndryshëm e të panumërt. Por edhe nëse kalon prej opinionit, dija është shumë larg, dhe diametralisht e kundërt me të, si ruajtëse e të vërtetës. Doksa dhe dija, janë armiq për vdekje, njëra e vret tjetrën.

Sali Berisha është babai i kombit, është një opinion, një doksa, vetëm sepse kombi ekzistonte përpara Berishës. Sali Berisha është shkatërruesi i kombit, është sërish një doksa, opinion, vetëm për arsyen e thjeshtë, se kombi do të ekzistojë edhe pas tij. Megjithatë, edhe pse të dyja opinionet, janë thellësisht të pavërteta, ato gëzojnë me mijëra njerëz që u besojnë verbërisht. Të njëjtën gjë, mund të thosha edhe për Edi Ramën, Lulzim Bashën, apo për çdo personazh tjetër të rëndësishëm e publik. Ata janë të gjithë subjekte që i nënshtrohen pashmangshmërisht, doksës së pamëshirshme.

Një doksa të pastër, të gatuar prej duarsh mjeshtërie, gjeta edhe në shkrimin e Baton Haxhiut, mbi fundin e keq të Sali Berishës dhe do e shpjegoj edhe përse mendoj se kemi të bëjmë me një opinion të kulluar, ku e vërteta dhe retorika gërshetohen bukur, ashtu siç di ta bëjë Batoni, si një opinionbërës me përvojë dhe një nga spin doktorët më të mirë të botës shqiptare. Që në hyrje të shkrimit të tij, edhe vetë Batoni pranon faktin se ka qenë i gënjyer prej doksa-s që ka patur për vetë Sali Berishën, ku njëherë i dukej si burrë fisnik dhe njëherë si rrugaç e kriminel. Në të dyja rastet, Batoni nuk ka parë Saliun e vërtetë, por atë Sali, të rrethuar nga doksa, apo atë që ka dashur vetë Saliu t’i tregojë, sipas interesit e rastit ku është gjendur, edhe pse janë ulur dhjetëra herë bashkë. Ose ndodh që vetë Batoni ka parë atë Sali që i është dashur sipas rastit e interesit të vetë, këtë s’e di, duhet të na e thotë vetë ai.

Batoni sot shpreh siguri, kur thotë se nuk njeh prindër tjetër në botë, përveç filmave me mafiozë, që kryejnë krime së bashku me fëmijët e tyre. Pyetja që më lind tashmë është, se kur pikërisht në histori, u bind artikullshkruesi se prindi më unik në botë, arriti në pikën që i futi me duart e veta, fëmijët e tij në krim, dhe se çfarë bëri kundër këtyre kriminelëve? Dy gjëra mund të bëjë logjikisht, një person kur gjendet përballë këtij realiteti: kur ka fakte, i përdor ato për denoncim apo shtrëngim, kur ka opinione, i përdor ato në favor të interesit të vetë, apo grupit të cilin e mbështet. Sot, opinionet shiten më shtrenjtë se faktet dhe janë më rezultative se to, pasi që të faktosh krimet e një shtetasi përpara një gjykate, mund të jetë një rrugë e gjatë, dhe nëse personi është i veshur me pushtet, ky kthehet në një mision të pamundur. Atëherë të mbetet vetëm ta luftosh me opinion.

Baton Haxhiu na thotë në vijim të shkrimit të tij, arsyen që vulosi bindjen e tij se Sali Berisha është kriminel e prind kriminelësh, edhe madje kur e quan çuditshëm, si një babaxhan, por që s’ka as fytyrë dhe as skrupuj, pra një babaxhan unik. Gabimi fatali Berishës, që ishte edhe pika e fundit që derdhi kupën e tij të krimeve, ishte intervista që ai i dha një gazete të vdekur, sipas Batonit, por që botohet ende, me pronar një njeri me tatuazh në dorë, pjesë e një ushtrie po të vdekur, armike të Kosovës. Personalisht nuk e njoh as gazetën dhe as pronarin e saj, por di që sigurisht, nuk mund të nisesh vetëm nga një intervistë e dhënë, qoftë edhe ndaj një medie me pronar të dyshimtë, për të vërtetuar lidhjet e një individi me të keqen. Në të njëjtën mënyrë Berisha e akuzon Batonin si argat të Serbisë dhe të lidhur me fije të shërbimeve serbe, sikundër Batoni është duke paralajmëruar vdekjen e Sali Berishës dhe të partisë së themeluar prej tij. Duket sikur Berisha dhe Batoni janë në një garë të ethshme argumentuese, se kush prej tyre, është më proserb dhe antishqiptar. Dhe aq të aftë janë në artin e opinionbërjes, saqë publiku duket sikur i beson të dy. Gjë mjaft e rrallë kjo në përballje të tilla, kur normalisht, duhej të kalonte vetëm një nga fabulat.

Por dikur, marrëdhënia mes tyre, nuk ka qenë kaq armiqësore, saç është sot. Vetë Batoni në shkrimin e tij, pohon se në të kaluarën ka qenë këshilltar i Berishës dhe spin doktor i Partisë Demokratike, kur u gënjye sërish prej opinionit të tij se Sali Berisha, u korrigjua pas një ndëshkimi 8 vjeçar. Ai ishte një nga ideatorët kryesorë dhe krijuesi i spoteve të të rinjve të KOP-it, që e sollën Berishën në pushtet në 2005-n. Por në këtë rast, ai e dinte që atëherë, se kishte të bënte me një furgon të mbushur plot me shokët e fëmijëve të Berishës, që do të bëheshin ministra kukulla, mbrojtës të bizneseve të tij familjare. Dhe nëse Batoni i dinte këto gjëra, ai ka përgjegjësinë e tij personale, për instalimin e këtij pushteti. Prandaj sërish pyetja që ia vlen të përsëritet është se kur pikërisht e kuptoi Batoni, se kujt Berishe i shërbente, atij fisnikut apo atij “padrinos” dhe çfarë bëri për të vënë në vend gabimin e tij? Ajo që duket se po bën sot, është se po përdor aftësitë e tij për opinionbërje, nga në favor të Berishës, në kundër tij. Aftësitë mbeten brilante, thjesht ndryshon kahu i lëvizjes së helikave të fuqishme lobuese.

Janë të njohur edhe raste të tjera të njerëzve shumë të aftë, me ndikim të gjerë në opinion, që janë kthyer nga mbështetës të zjarrtë të Berishës apo Ramës, në varrmihës të tyre. Dhe kjo, jo sepse janë gënjyer nga këta, që u janë shndërruar para syve, nga engjëj në djaj, sepse nuk janë aq naivë, por sepse në një pikë të caktuar të historisë së marrëdhënieve të tyre me ta, u janë cënuar interesat, dhe kjo është e kuptueshme në botën politike, ku bashkëjetojnë brenda një deti të trazuar, pushtetarët dhe këshilltarët e tyre. Madje e bukura e këtij realiteti është, se politikanët qarkullojnë, kurse këshilltarët mbeten po të njëjtët, janë po aty, lëvizin sa majtas e djathtas. Ata thjesht prodhojnë, ngrenë dhe ulin elitat e radhës, sipas aftësive të tyre për të gatuar doksa-n, e cila është e vetmja e vërtetë në universin e pushtetit, që lëviz me një shpejtësi marramendëse.

Individët që të japin apo të marrin pushtetin, nuk kanë nevojë të presin për fakte apo prova të ligjshme, atyre mjafton t’u ndryshosh opinionin, dhe u merr edhe votën, i nxjerr në rrugë, i çon në luftë, i ndan nga gruaja, i kthen prej rrënimit në sukses, apo i çon edhe nga lumturia drejt vetëvrasjes. Kaq i madh është pushteti i doksa-s dhe rreziku i saj është i paralajmëruar qysh prej lashtësisë së mendimit njerëzor.

Që Baton Haxhiu është personi i vetëm, i gjithëfuqishëm, që lëviz fijet e pushtetit në botën shqiptare është një opinion i mirëgatuar. Që Sali Berisha është në gjendje të marrë peng një Kosovë të tërë, si një hajdut banke një klient, për të shpëtuar veten, është një opinion i thurrur po aq bukur. Personazhe bardhë e zi, siç duan të na i servirin opinionet nuk ekzistojnë, secili ka dritëhijet e veta, që do të zbardhen përgjatë kohës, pasi asgjë nuk mbetet e fshehtë përjetësisht. Por deri atëherë duhet të presim, ndërkohë që luftën do ta fitojë, ai që arrin të shesë më shumë opinion, ai që në artin e mjeshtërisë së doksa-s, qëndron më lartë se kundërshtari. Rasti i paraqitur është një luftë titanësh, ku mbretërit luftojnë me krijuesit e tyre (kingmakers).

Nëse doni të dini fituesin, shihni nga historia, e cila gjithmonë përsërit vetveten.

Ju mund të pëlqeni dhe këto