Fushata e gjysmës së majtë? Me analistët, luajmë listash

Ndoshta këtyre personazheve u referohej Konica kur thoshte se “shqiptarët kanë një mijë e një virtyte të cmuara, veçse janë popull pa ideale”!

Fushata zgjedhore, për aq sa mund ta quajmë të tillë në kohëra kur testimi i mëkateve të politikës gërshetohet aq spontanisht herë me dashuri turke, herë me flirtime greke, herë me aventura arabe e herë me ndonjë histori tradhtie që vjen nga Perëndimi, duket se gjithsesi, ashtu me një agresivitet të çalë, ka nisur. Në sfondin e një pandemie me të cilën njeriu varrosi bashkë me jetën e atyre që ikën, edhe lirinë e atyre që mbetën, duket se vendi ynë s’do t’ia dijë, andaj dëshirën për politikë e ka më të fortë se besimin se mund të parandalojë vdekjen. Sigurisht, është e ditur dhe fakt i kryer se perceptimi mbi intensitetin e fushatës së secilit kamp politik krijohet në terren, bazuar mbi indikatorë si numri i pjesëmarrësve, intensiteti i takimeve me elektoratin, e veçanërisht në Shqipëri, forca me të cilën goditet kundërshtari politik. Ndryshe nga cdo fushatë elektorale e mëparshme, kjo e dedikuar zgjedhjes së ekzekutivit për katër vitet e ardhshme duket të jetë fushatë studiosh televizive, ku ndoshta më shumë se kurdo herë kandidatët janë të çliruar nga barra e përballjes mediatike dhe kanë deleguar në “prime time” të famshmit, të gjithëditurit, idealistët e njëherësh pragmatistët, të nderuarit analistë.  Debati i fundit i pedagogëve të opinionit publik në Shqipëri, kohët e fundit madje edhe ekspertë sondazhesh, të cilët marrin përgjegjësinë dhe guximin të imponojnë në mënyrë indirekte këndvështrimin e tyre, ka qenë lidhur me mënyrën se si kampi opozitar do t’i prezantohet elektoratit më 25 prill, me një apo dy lista. Që ky të ishte subjekti kryesor i diskutimeve të një koalicioni të madh anti-monizëm nën drejtimin e Partisë Demokratike, është sigurisht e pritshme, por që ky aspekt teknik të shqetësonte deri në përmasa obsesioni analistët, – të cilët nuk u lodhën së besuari se Shqipëria është në kulmin e lulëzimit të saj, aty ku madje s’ka ç’i duhet as BE, as Perëndimi, – kjo përbën deri diku risinë e këtij fillim-fushate. Duke ndjekur diskursin e tyre në çdo televizion e çdo orar ku propaganda arrin në vesh të sigurt, habi e madhe është se si opininistët e Shqipërisë së lulëzuar kanë marrë përsipër të luajnë fort me idenë se opozita paska hall të madh se si do të paraqitet në fletën e votimit. E teksa i dëgjon se si thellohen në propagandë, mendon: “Ndoshta këtyre u referohej Konica kur thoshte se “shqiptarët kanë një mijë e një virtyte të cmuara, vecse janë popull pa ideal”.

Këta personazhe, i dëgjon kur herë pas here, mungesën e një përgjigje definitive mbi mënyrën se si LSI dhe PD do të dalin në këto zgjedhje e konsiderojnë tregues të mungesës së unifikimit apo edhe deri të ekzistencës së opozitës.

Së pari, për fatin tuaj të keq, të nderuar ekspertë të opinionit, në çdo vend ku zgjedhjet janë test i punës së një qeverie dhe shprehje e dëshirës ose jo për ta zëvendësuar, opozitën nuk e bën lista, as i jep apo i heq identitetin lista. Opozitën e bëjnë gjurmët që ka lënë aktori qeverisës. Andaj, nuk ka kauza më të forta, bazë më të hekurt dhe terren më të gjerë se ai që ka opozita e këtyre zgjedhjeve, për fatin e saj të mirë e për fatin e keq të Shqipërisë. Opozita është një organizëm që ka për oksigjen dështimet e ekzekutivit në detyrë dhe si e tillë e ka më të lehtë ta ngrejë fushatën mbi dhomat e errëta të mandatit qeverisës që përfundon. Ndoshta është humbje kohe t’ua rikujtosh njollat e kёtij demo-monizmi profesorëve të analizës, – qё nga varfёria ekstreme, skandalet e korrupsionit, dhjetë breza mjekësh që e lanë Shqipërinë, tutorёt e vrasësit me kravatё deputeti, tё pastrehёt e tёrmetit qё kullat e pastrimit tё krimit nuk i strehuan dot, pёrgjimet qё njollosin tё dhimbsurit kryetarё e deri tek se si Evropa e pёrplasi Shqipёrinё nё mёshirёn e prapambetjes sё saj. E kotё t’ua kujtosh përsa kohë kanë qenë vetë në krye të detyrës në çdo studio televizive, skandal pas skandali, dështim pas dështimi, humbje pas humbjeje. Andaj, ndërkohë që bëni me bensikëri të plotë detyrën e fundosjes së këtij vendi në emër të zvarritjes përsonale, pikërisht në vërtetim të plotë të asaj që thoshte Konica, pa asnjë hije ideali, bëni mirë të kujtoni se edhe sikur në rastin më ekstrem të mundshëm, të mos kishte asnjë formë të mirëfilltë opozite, vota e protestës në Shqipëri, ajo që historikisht ka vendosur rezultatin e zgjedhjeve, kam përshtypjen se në një kontekst të paktën hipotetik, ku çdo votë numërohet e nuk zhvatet, do të votonte për çdo forcë politikë që përfaqëson të kundërtën e atij deri më sot në krye. Opozitë ka, madje opozitë me shumë ngjyra e ndoshta me disa nuanca ideologjike, por për të parën herë ndasitë edhe të theksuara partiake i bashkon objektivi për zbritur nga karrigia ndoshta qeverine mё pa identitet qё ka parё pluralizmi nё Shqipёri. Nuk bëhet opozitë për rotacion në këto zgjedhje, bëhet opozitë për të rimarrë korsinë e tranzicionit demokratik, që ka devijuar në monizëm të pashpallur ku politika e jashtme dhe e brendshme reflekton natyrën delirante e shpërfillëse të liderit.

Votës së protestës, ju i trembeni dhe kjo është arsyeja kryesore përse fushatën elektorale të së majtës e keni ulur deri në lojën propagandistike të një apo dy listave. Andaj, së dyti, si njohës të tërthortë të shkencave politike, ju e dini mirë se vota e protestës kanos rrezik më të lartë për partinë në pushtet nëse një tjetër parti, që përfaqëson të njëjtën ideologji politike me atë në pushtet, vetëofrohet si strehë e elektoratit të zhgënjyer nga partia e tyre në pushtet. Për të qenë më të qartë, situata politike në vend është në atë pikë ku s’ka teori politike që do të mund t’i jepte sikur edhe një grimcё sigurie gjysmёs sё majtё nё pushtet, për të vetmin fakt se poli i tretë në rastin tonë, nuk është një parti anti-establishment, por është alternativë e së majtës, që i këput nga kthetrat e saj një pjesë të mirë të elektoratit ideologjikisht të majtë. Rrjedhimisht, LSI nuk targeton vetëm elektoratin gri, por siguron në disa zona votën e të majtëve, të cilët kanë dy arsye për ta votuar: së pari i japin votën e protestës, së dyti nuk tradhëtojnë ideologjinë e tyre edhe duke votuar në formë proteste për të rrëzuar gjysmën e së majtës në pushtet. Pra, e thënë shkurt, edhe pse të punësuarit e studiove e dinë mirë, ajo që shkon e përgjysmuar në këto zgjedhje është e majta. Me siguri, do thoni ju s’është hera e parë. Sigurisht që jo, LSI ka disa raunde elektorale që i ka këputur disa krahë socialistëve duke e lënë “single” Rilindjen, por për të parën herë ajo e ngre fushatën e saj duke thërritur të majtët të votojnë si të majtë një parti të majtë pёr tё larguar njё gjysmё tё majtё. E theksoj, jo një parti të qendrës, por një parti të majtë, me premtimin se në këtë mënyrë jo vetëm i sjellin fundin epokës së Rilindjes, por i bashkohen koalicionit të ardhshëm (ndoshta të mundshëm) qeverisës duke integruar programin e tyre të majtë. Si rrjedhojë, kur në dashamirësinë tuaj të ndershme, i propozoni opozitës të dalë në cdo qark më një listë të vetme nën siglën e Partisë Demokratike, s’do ishte keq sikur po në ndershmërinë tuaj, të sqaronit se këtë propozim e ngrini mbi dëshirën për të zbehur rolin e LSI si streha e të majtëve që Rilindja i zboi. Mbi të gjitha, prapë si rezultat i gjithëditurisë suaj, ju e dini mirë, se opozita maksimizon vota duke ndjekur taktika të specifikuara për secilin qark, e duke dalë diku me dy, diku me tre e diku me më shumë lista. Siguria? Premtimi, të paktën përsa vlejnë premtimet publike në politikë, se produkti në vota i secilës parti opozitare, përfshirë këtu pikërisht edhe parti të majta, shkon në funksion të rrëzimit të demo-monizmit.

Së treti, në vazhdim të dy argumentave të mësipërm, termi opozitë jashtë e opozitë brenda, opozitë e bashkuar e opozitë e përçarë, më kujton një analogji me dy terma që ne shqiptarët i njohim mirë: “Shqipëri etnike” apo “Shqipëri e madhe” (E dimë mirë që kauza kombëtare titullohet “Shqipëri etnike”, por seç na kanë ngatërruar shprehitë filo-fqinjët me termin “Shqipëri e madhe”).  Po njësoj, fushata e së majtës po kacavirret për kaq kohë mbi një flluskë boshe, si ato flluska që hiperbolizohen veç nga të gjithëditurit e studiove televizive, se të djathët na qenkan të përçarë e se në zgjedhje po shkojnë pa kokë, a thua kuturu, e a thua se po garojnë në Norvegji a Suedi e s’kanë kauza të forta mbi të cilat të ngrenë fushatën. Opozita është një, për fatin tuaj të keq si të punësuar e për fatin tuaj të mirë si shqiptarë. Është një dhe e vetme përpos ndasive deri edhe ideologjike, një për të rrëzuar gjysmën e së majtës në pushtet. Dhe frika e fundit të afërt shtohet, kur parti të tjera të sapokrijuara, me karakter të djathtë, theksojnë se kurrsesi mandatet që ato pretendojnë të marrin nuk do t’i shkojnë Rilindjes, por së djathtës. Pra, cdo përpjekje për të marrë në pyetje hetuesie këto lëvizje të reja të krijuara para zgjedhjeve, me shpresësn për të ngulitur në mendjen e votuesit një opozitë të përçarë, dështon aty për aty kur secila prej tyre deklarohet se çdo votë e fituar shkon anti-Rama. Do thoni ju, sërish në gjithëditurinë tuaj, se nëse këto parti a lëvizje nuk fitojnë asnjë mandat, votat e tyre ndahen e kjo shkon në dëm të opozitës. Së paku, kjo është e vërtetë, por fundja së pari politika është taktikë risku, e së dyti historia e zgjedhjeve ka treguar se këto lëvizje të sapokrijuara kanë rol të papërfillshëm nëse nuk arrijnë asnjë produkt të përfillshëm në votë.

Si përfundim, për analistët e gjithëditur pa të cilët ky vend s’do kishte parë dritë, duhet kujtuar herë pas here se opozita është një, me ngjyrime në ideologji dhe e unifikuar në absolut në qëllimin e saj e në kauzat mbi të cilat e kërkon mandatin e ardhshëm qeverisës (të paktën deri më 25 prill, se fundja politika kudo në botë, tjetër fle e tjetër zgjohet andaj cdo diskutim ngrihet mbi faktet e së tashmes e jo të së nesërmes). E sërish, po për tё gjithёditurit analistё, duhet kujtuar se në këtë unifikim kanë një pjesë të mirë edhe socialistët, andaj s’ka opozitë të ndarë a të bashkuar, ka opozitë që ka bërë bashkë për të parën herë të majtë e të djathtë. A ka të majtë të copëtuar? Po sigurisht, që prej ditës kur disa Rilindën e disa mbetën socialistë.

Nga Pranvera Shehaj

Politologe, Ekonomiste

Ju mund të pëlqeni dhe këto