Fallxhoret e politikës dhe Terezi i tërmetit

Nga Arjan Çuri

Te lagjia ime, ishte një fallxhore që dilte te kafja poshtë pallatit dhe për një dhjetë mijë lekësh, të jepte në dorë listën e zezë të atyre që të urrenin, sigurisht vetëm me iniciale, pasi xhindet nuk ia zbulonin gjithë emrin, se kishin hall se shkelnin ligjet e privacisë. Por këto muajt e fundit, nuk po shfaqej më në vendin e saj të zakonshëm. Një dite, kur e pashë, e pyeta. Kam ngelur pa punë tha, ma kanë marrë zanatin politikanët. Dikur vinin ata tek ne, tani i bie të shkojmë ne tek ata. Pse, i thashë, kush ua mësoi artin tënd atyre? Nuk e di tha, me kë kanë bërë pakt, por që po na konkurrojnë rrezikshëm. Nuk ka mbetur parashikim i tyre pa dalë, vazhdoi. Mire atë, tha, po ka rënë edhe shitja e kafes turke, se me llumin e zi, të dilnin të gjitha horrllëqet në pah. Ka filluar graria, po ndjek politikën, më tha, se aty e marrin fallin, falas, dhe me saktësi të habitshme.

Po si ia bëjnë politikanët, e pyeta? Po e hetoj, m’u përgjigj, unë dhe gjithë koleget e mia fallxhore, s’po lëmë formulë pa provuar, por akoma s’na është zbuluar ky mister. Po di që më të zotët shikojnë qiellin, sepse që aty zbret informacioni. Kur xhindet ngjiten shumë lart, Zoti u hedh meteorë në kokë që të zbresin, se mund të marrin vesh më shumë sekrete seç duhet.

Këtë sekret, një shoqja jonë tradhëtare, kur u kthye në fallxhore dixhitale, ia tha Berishës. Shih qiellin i tha, dhe të del. Ai ngaqë zgjohet herët për vrap, pa nga qielli dhe denoncoi i pari avionët privatë të mbushur me barishte, nga ato që i përdorte nëna jonë Pithía në lashtësi, kur profetizonte në orakullin e Delfit. Ai i denoncoi, por qeveria i quajti mushkonja. Mirëpo, do ti, që ne nga inati, i mallkuam ca prej pilotëve që mos vafshi shnoshë, matanë detit, dhe ata ranë në bregdetin e Divjakës dhe u doli zullumi. Ne këtë e bëmë nga inati për tradhëtaren tonë dixhitale, nuk kishim gjë me bosët e kanabisit, pasi atë, siç ta thashë, e përdorim dhe vetë, kur duam të shohim më shumë se iniciale.

Kemi krijuar dhe një shoqatë të quajtur, Magjistricat e Bashkuara, sepse na pëlqeu titulli Opozita e Bashkuar, pasi këta janë dhe konkurrentët tanë më të mëdhenj. Këta vazhduan me profecira të ndryshme dhe janë duke na shkatërruar. Pse, çfarë thanë këta, e pyeta. Ja, më tha, nuk po e shikon që po u nxjerrin horrllëqet gjithë kryetarëve të bashkive? Mirë atë, po s’po dimë as si tua qorrojmë sytë, se disa kryetarë kanë ardhur tek ne për ndihmë. Po ku i dilet një populli të tërë? Sa ia lidhim ne sytë njërit, që ua di të kaluarën, dalin me dhjetëra të tjerë. Popull spiun, tha sikur po ofshante. Ku ka magji e gur i zi, që ua lidh sytë e veshët 3 milionë njerëzve. Na nxorën me këpucë të kuqe. Njërit nga këta bashkiakët që i doli emri, erdhi e më kërkoi lekët mbrapsht. I ktheva një pjesë, se i kisha prishur ca. Të tjerat ia ktheva me mallkime për opozitën.

Avash, i thashë, e kë na paska zënë mallkimi yt? Pse, nuk e sheh Salianjin, më tha, që po del sikur ka paguar 200 mijë euro për videon e Babales. Unë e yshta, më tha, po deshi të shpëtojë nga ajo mesele, duhet të vijë të më paguajë mua, po aq, që të ysht dëshmitarin e t’i lidh gojën. Dhe po ia lidha unë, s’ka prokurori që ia hap. Qeshjeve të mia, vazhdoi t’u përgjigjej me shembuj të tjerë. Dhe të gjitha qëndronin.

Nuk e dëgjove Bashën, tha, që për 30 qershor, do të digjej vendi? Po nuk u dogj, i thashë. Nuk u dogj, ia behu, se këtë parashikim e besoi Shik-u, bazuar edhe në të dhëna rrugore. Protestuesit e konkurrentëve tanë, thjesht dogjën ca shkarpa te kryeministria. Por po të bëhej edhe një tubim tjetër do ta digjnin parlamentin me gjithë deputetë brenda. Jo me jo, e ngacmova. Jo deri tek deputetët. Po, më tha, kosovarët që do vinin, për ata do vinin, nuk e sheh më tha, ç‘u bëjnë në Kosovë, namin. Pse, vazhdoi, Noli ia futi kot kur tha: “A do botës t’i vësh zjarrë, merr nja dhjetë kosovarë”. Aty nuk u mbajta dot. Po pse, edhe Nolin e paske studiuar ti, i thashë. Sigurisht, ma preu fjalën, që të merresh me punët e shejtonit, duhet t’i dish edhe punët e Zotit, dhe ne i kemi lexuar mirë çfarë thonë edhe priftërinjtë edhe hoxhallarët.

Po mirë, i thashë, ja mbaroi tani, parashikimi u besua dhe e keqja u devijua. Meta i anulloi zgjedhjet dhe planet e piromanëve dështuan. Prit, më tha, mos u nxito. Meta është më i forti nga të gjithë në parashikim, kot thonë për Monikën, ajo s’di të lexojë filxhan, edhe pse pi shumë kafe në ditë, por asnjë turke. Meta, ai po, tha, është si Terezi i lashtësisë. Aty unë u shastisa fare. Ajo vijoi. E ke parë tha, që ngjit malet e larta, me në krye Tomorrin që është mal i shenjtë. Po, i thashë. Aty, më tha, ka takuar një baba Teqeje, që i ka mësuar artin e të kuptuarit të gjuhëve të kafshëve. Prandaj tha, kudo që vete, i afrohen qentë edhe macet. Por ajo që nuk kap dot kamera, janë zogjtë, Meta ua kupton gjuhën, sikundër Terezi i lashtësisë. Dhe po kuptove gjuhën e tyre, i di të gjitha, pasi edhe ata fluturojnë në qiell dhe dëgjojnë çdo mister që zbret nga lart.

Po ti marrke vesh dhe nga mitologjia, i thashë. Sigurisht, ma ktheu, aty është origjina e të gjithë artit tonë. Shihi grekët, më tha, jo vetëm që kanë mitologji, por ata edhe shkencën po e kthejnë në art profetik. Edhe tërmetet tha, që s’ka komb që i parashikon, ata i dinë. Më i forti prej tyre, tha, është, Akis Celentis, që arriti dhe i ra në kokë muhabetit. Ai se çka një aparat kinez me dragonj, që i parashikon tërmetet, kur hedh zara në gojët e bretkosave. Ky, ia tha Metës dhe Meta, tha, bëri detyrën dhe me dokument sekret, kërkoi masa. Këta të majtët, që nuk i besojnë fare profecive, se janë ateistë, nxorën Spiropalin që ta ulnin. Dhe kjo, e quajti Baba Xhikja, që mjafton të nxjerrë një dekret, dhe e anullon një tërmet.

Po mirë, i thashë, si ka mundësi që Meta e besoi grekun sizmolog. Pyeti zogjtë, më tha, dhe ata i thanë që ka të drejtë. Pse, çfarë e di presidentin ti, nuk nxjerr llafe kot. Kur flet ai, unë dhe shoqet e mia mbajmë shënim. Ja, shih, më tha, edhe Venecia do e japë siç e ka thënë ai, që nuk ka përgjegjësi për dekretet.

Unë vetëm një gjë uroj, më tha, që të dalin profecitë e Ngjelës, që do i rrasin të gjithë mren. Po ai se çfarë ka, vijoi, se po i shtyn me nga gjashtë muaj, e me stinë, jo arrestohen në dimër e jo në behar, kanë kaluar 3 vjet që po e shtyn dhe hiç. Po ti, pse e ke aq merak, i thashë, sikur varesh ti nga kush shkon mren.

Ça thu mo, bërtiti, po u futën brenda ata që thotë Ngjela, shpëtuam. Pse, i thashë, fare i hutuar. Po ikin brenda, tha, të gjithë ata që po bëjnë parashikime dhe po u del llafi. Aty ne do i kthehemi prapë zanatit, se ngelëm pa bukë. Ika tani, më tha, se kam punë. Ku do vesh, e pyeta. Të këndoj një politikan më tha, që të mos ta arrestojnë para vitit të ri, se marton djalin, dhe gjynah i ziu… Më tha të jap sa të duash nëse arrin dhe shkatërron SPAK-un.

Vetëm shtyrje ka, i thashë, ne nuk hahemi dot me Amerikën.

Ju mund të pëlqeni dhe këto