Europa nuk na do, pra kush e ka fajin?

Nga Arjan Çuri

Në shpërthimet origjinale populiste, Kryeministri Rama, ka gjetur një metaforë të re, atë të nuses së bukur, që edhe pse është bërë gati, e lyer dhe e ngjyer për dhëndrrin, ky i fundit nuk do ta marrë, sepse dashka ta provojë a është e virgjër para dasme. Dhe nusja jonë, që përveç tualetit të trashë, s’ka lënë vend pa u prekur, nuk na e pranoka fajin, për këtë martesë ende të pamundur.

Që kur u krijua, Bashkimi Europian e konceptoi veten si treg i përbashkët, si komunitet për tregëtinë e qymyrit dhe të çelikut, e më pas, si një vend pa dogana, për shkëmbime mallrash e njerëzish, kështu që kombet përbërës, shikojnë veç interesin e tyre, si tregëtarët në një qendër biznesi. Nëse dikush, nuk i qëndron këtyre principeve, ata nuk ia hapin derën, se nuk kanë dalë për t’i bërë nder njeriu, as për të humanizuar kombet që i rrethojnë, medemek, meqë këta na qenkan brenda kufijve natyralë të kontinentit.

Gjeografia dhe historia po të doni, është gjëja e fundit që europianët mendojnë, kur vjen fjala për zgjerimin. Gjëja e parë që ata shohin, është se çfarë mallrash e të mirash mund të blejnë dhe të shesin me vendet që duan të integrohen. Për këtë arsye, Rama ka të drejtë kur thotë se fajin e ka Europa, pasi ne jemi gati për martesë dhe ata jo, se paskan frikë nga nusja jonë që ka qëlluar të jetë paksa xanxare dhe me huqe.

Ka të drejtë, pasi tregu i përbashkët i tyre, nuk është gati të përpunojë mijëra ton kanabis sativa, të të gjitha llojeve, nga ai që bën për tym e për çokollata, deri tek kërpi, me të cilin bëhen çantë dhe bluza. Këtë të fundit e eksportojmë pa dashje, kur qëllon që nga nxitimi të ngatërrojmë farën e na del bohçja, mashkull. Edhe bluzat e Elbasanit që ishin mbi pakot e të bardhës kolumbiane, ishin bërë prej fijesh të forta bari, se pambuk s’po mbjell më njeri.

BE nuk është gati për ne, pasi sapo kap një barkë që çon drogë në Greqi, një tjetër i ka kaluar për në Turqi. Nuk ka fregatë dhe helikopter që i kap gomonet tona, të sajuar me 14 motorë dhe me skafistë që veshin skafandra, sikur po garojnë për Moto GP. Skenat e ndjekjes, po i studion Hollivudi, se ka kohë që po bën filma, ku subjektet me mafian italiane, që janë tashmë old fashion, po i zëvendëson me mafian shqiptare, që është shumë trendy, si te filmi, Taken.

Ka të drejtë Rama, kur thotë që BE-ja nuk është gati për ne, pasi edhe vetë DEA amerikane, nuk po na e del dot, kur i porosisim bukët e kokainës, direkt nga Kolumbia. Sapo nis një operacion super inteligjent, për të kapur tregëtarët e drogës, duke zëvendësuar kokainën me oriz, çunat tanë, direkt e kuptojnë dhe e flakin pakon nga dritarja. Nuk ka DEA e Interpol që na bën ballë, po na studiojnë si rast i veçantë, e po ndryshojnë edhe protokollet e tyre të sigurisë.

Si do jetë BE-ja gati për ne, kur ne brenda ditës, hodhëm poshtë 300 vjet kulturë demokratike? Nëse iluminizmi francez, i mësoi botës ndarjen e pushteteve me Monteskjenë dhe filozofinë e Aristotelit, ne, si më të mençur nga ata, po eksportojmë edhe modele të reja të qeverisjes e shtetit modern. U kemi shtënë tmerrin, duke thënë se institucionet edhe mund të braktisen, mandatet edhe mund të lihen, parlamentet dhe makinat në rrugë, edhe mund të digjen. Thjesht për qejfin e të bërit politikë. Ata mezi ngritën institucionet që të shpëtonin nga turmat, ne po ngremë turmat që të shpëtojmë nga institucionet.

Si mund të jetë BE-ja gati për ne, ku ia arritëm të shkrinim të gjitha gjykatat e larta, dhe ku gjithësecili i merr vetë vendimet për ligjet që nxjerr, a dekretet që vulos e anullon? Venecia këto vitet e fundit, është marrë vetëm me ne, sapo na mbyll një vrimë antidemokratike, ne hapim pesë të tjera. Sapo na thonë që s’ka nevojë të shkarkohet Presidenti dhe të prishet parimi checks and balances, ne i çojmë një ligj pronash, që del se është në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Ata kanë vënë duart në kokë, me këto që shohin këtu, nuk po gjejnë shembull të dytë në historinë botërore, që të ketë shpikur këto çudirat tona. Ngaqë po merren vetëm me ne, janë gati ta ndryshojnë emrin nga Komisioni i Venecias, në Komisioni i Shkodrës, meqë ajo kthehet çdo vit në qytet nënujor nga përmbytjet. Të mos flasim për Hollandën e Gjermaninë që s’po vënë dot rend në rrugët e tyre, nga mafia më dinamike në botë, që mbart etiketën, Made in Albania.

Komuniteti që nisi me nevojnë për çelik e qymyr, nuk i përballon dot logot tona origjinale. Mbase duhet t’i japim pak kohë BE-së e ta kuptojmë në paaftësinë e saj. Deri atëherë, 9 kushtet e saj, do ta bëjnë nusen tonë, gati për martesë, nëse don burrë sigurisht, se nëse nuk don, dalja në rrugë të madhe është një opsion lirie, nga ajo liri që të çon në anarshi dhe që ne dimë ta shijojmë.

Ju mund të pëlqeni dhe këto