Aleanca opozitare në mosmarrëveshje për marrëveshje

Nga Arjan Çuri

Tashmë shqiptarët po dëgjojnë prej gati një viti, se pse opozita braktisi institucionet për të mos u bërë fasadë e Ramës, që si autokrat, donte t’i merrte në kontroll ato. E vetmja rrugë që la hapur opozita, për t’u rikthyer në shinat e shtetit, ishte ikja e Ramës nga posti i Kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme, me qeveri teknike. Sigurisht që Rama nuk u tregua aq zemërgjerë, sa të pranonte këtë lloj kompromisi. Ai madje u gëzua, sepse e pa këtë lëvizje si një dhuratë e ardhur nga qielli, pasi nuk i kishte më nëpër këmbë, ata që i hidhnin çizme në kokë e bojë të zezë mbi buzë. Gjithashtu, ai e dinte, që kjo rrugë, do të bënte që ndërkombëtarët të ktheheshin pro tij dhe të mos shihnin gabimet e brendshme të qeverisë, duke zgjedhur stabilitetin përpara demokracisë.

Kështu që Rama është i fundit që do që opozita të kthehet në sistem, madje ua ka thënë në sy. Ai është dhe i pari që uron, që letrat e tij, ftesë për marrëveshje, të mos merren parasysh. Për këtë, sigurohet edhe duke futur doza ironie e talljeje në tekst, se ka frikë se mos opozitës i kthehet mendja dhe ulet në tryezë.

Po opozita, çfarë do ajo? Duket sikur ajo nuk e di edhe vetë çfarë do. Shtatë kokat që e përfaqësojnë atë, si dikur shtatë të urtët e antikitetit, janë në një kaos të plotë politik. Çfarë thotë njëri nuk e thotë tjetri. Çfarë konfirmon njëri në darkë, e hedh poshtë tjetri në mëngjes. Madje diskuri politik ka arritur deri aty, saqë të pretendohet se Ramën mund ta hedhë poshtë vetëm një femër, e cila nuk e ka frikë këtë përbindësh, siç e kanë gjashtë meshkujt e tjerë të aleancës.

Opozita nuk është gjendur kurrë në pozicion më të sikletshëm sesa tani. Të hyjë në bisedime, bëhet e pabesueshme, se po ulet me Ramën që duhet ta kishin rrëzuar me protesta. Të mos ulet, bëhet e padëshirueshme nga ndërkombëtarët, që kryefjalë të çdo daljeje zyrtare, kanë dialogun. Të futet në marrëveshje, ka hall se mos e pëson si lulet e majit, të mos futet, ka hall se mos vyshket e thahet si gjethet në shtator. Bela e madhe e ka zënë opozitën e të shtatëve. Ajo që dihet me siguri është që mes tyre ka plasur një mosmarrëveshje e fortë përsa i përket marrëveshjes.

Nga marrëveshja fitojnë gjashtë dhe humbet Basha, nga mosmarrëveshja fiton sistemi i vjetër elektoral, që është edhe në favor të Ramës, pasi partitë janë thjesht mbretëri të vyera të kryetarëve të tyre, të cilët më vonë, edhe mund t’i trashëgojnë sipas një linje gjaku, nëse duan. Nga marrëveshja fitojnë partitë e vogla, që janë në prag të zhdukjes, nga mosmarrëveshja, partitë e mëdha, bëhen edhe më të mëdha dhe zhdukin përfundimisht mundësinë e daljes së forcave apo personazheve të rinj në politikë. Një lëmsh i madh ky fillimvjeshte politik, ashtu si temperaturat e këtyre ditëve, ku në drekë plas vape dhe në darkë ngrin së ftohti. Këtë kohë e adhurojnë viruset që godasin imunitetet e çdo rangu, sidomos të atyre pa vaksinë.

Dhe si në rastet e tjera, vetëm nëse do të këmbëngulin ndërkombëtarët, Rama do t’ua japë atë që dëshirojnë, mjafton që të mbajë për një kohë të gjatë opozitën në ostracizëm, apo në një dëbim të pafund prej sistemit politik. Kjo do t’i japë atij vite të tjera në pushtet, nga ato vite që i duhen për të bërë histori.

I vetmi shembull që njeh historia, ku u përmbys një perandor, pasi një popull i tërë braktisi vendet e punës, pra doli nga sistemi, ishte ai i Ramsesit të Egjiptit. Atë e mbuluan dallgët, pasi ndoqi izraelitët që i përdorte si skllevër, e në ndjekje e sipër u mbyt ai dhe gjithë mazhoranca e shpurës së karrocave e kuajve që e shoqëronin. Po të rrinte në Egjipt, sigurisht që nuk do të ishte rrëzuar apo vuajtur nga plagët hyjnore.

Rama ynë, duket sikur ka filluar ta ndjekë nga mbrapa opozitën për ta kthyer në vendet, të cilat ajo i braktisi. Por duket sikur nuk e ka seriozisht, pra me shumë mundësi, nëse ka mësuar nga historia, ndryshe nga Ramsesi, do t’i bishtnojë vdekjes.

Ju mund të pëlqeni dhe këto