“Shqiptarët duhet t’i jenë borxh disa të huajve që folën për Shqipërinë”, Muç Nano sjell romanin ‘Një javë në Manastir’

Gazetari Mustafa Nano ka folur mbi librin e tij më të ri që ka dalë në treg, një roman me titull “Një javë në Manastir”.

Bëhet fjalë për një roman rreth viteve të Kongresit të Manastirit që u mbajt në vitin 1908. Është një roman më shumë letrar.

“Manastiri ka qenë në fillim të shekullit të 20 një nga qytetet që ka përfaqësuar në mënyrë më të mirë të mundshme Ballkanin. Ky nuk është një libër studimor, është një roman që ngjarjet i ka të vendosura në atë vit dhe në atë moment, pikërisht në momentin kur po mbahej Kongresi. Ky Kongres është në sfond, nuk është qëllimi i këtij romani”, tha Nano.

Ngjarjet rrëfehen përmes syve të një anglezi që quhet Bolton. “Ai nuk është thjesht turist, por është burri i një albanologeje në roman, që jam frymëzuar nga figura e Edith Durham. E kam zgjedhur sepse udhëtarët e kësaj periudhe më kanë ngacmuar dhe jam përpjekur të fantazoj si mund të shihej Shqipëria dhe Ballkani në atë periudhë. Përpos kësaj, mendoj që ne shqiptarët duhet t’i jemi në borxh disa të huajve, që më kanë hyrë në regjistër si albanolog, që filluan të flisnin për Shqipërinë dhe kombin shqiptar para se shqiptarët vet të bëheshin shqiptarë. Unë do doja që ne respektin ndaj këtyre të huajve ta kishim, kanë shkruar me dashuri. Sot më vjen keq se emrat e rrugëve rrallë mund të qëllojë të gjesh ndonjë Edith Durham, do doja që emrat e tyre të ishin në rrugët kryesore. Këta ngacmuan nervin e shqiptarëve. Mund t’u bëhen nderime nga më të ndryshmet. Edith Durham për mua është një nga njerëzit më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe nuk flasim shumë për të, për të nuk ka asnjë bust”, u shpreh Nano.

Ju mund të pëlqeni dhe këto