Pse Ramsi e donte shembjen e Teatrit? Çuri: “Do ta themelojë qytetin sipas imazhit të vet, nuk do i ndahet kësaj ideje”

Mbrëmjen e sotme të ftuar në “Zonë e Lirë” janë Arjan Çuri, Neritan Liçaj, Adriatik Lapaj dhe Fitim Zekthi, që kanë folur për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Shqyerja e Teatrit/ Përse Ramsi e donte me patjetër?”, është një nga pyetjet që është shtruar në emision.

“Z. Rama ka një mënyrë të tijën si e kupton politikën. Është njeri që ndjek sadomazokizmin politik. Tek Teatri goditi memorien, ndjeshmërinë e njerëzve dhe në fund fare do ndërtojë një godinë të re, do thojë qenka e mirë kjo”, ka thënë Zekthi.

“Besoj që është edhe më shumë se kaq. Për mua ose për Hegel, filozof gjerman, tek libri i tij thotë se çdo njeri e krijon të vetëdijshmen e tij kur përballet me të njëjtën qënie po të vetëdijshme. Kur takohen dy qenie të vetëdijshme, krijojnë një marrëdhënie varësie mes tyre kur njëri është masteri dhe qënia tjetër dorëzohet nën dominimin e masterit, skllavi. Hegeli shkon deri aty sa thotë kur dy njerëz takohen bashkë, njëri merr rolin e masterit, zotërisë dhe tjetri rolin e skllavit. Kjo ndodh jo vetëm në politikë, por edhe në marrëdhënien mes miqve, burrë e grua… Përse Ramsi e donte me patjetër? Në disa raste në marrëdhëniet e tij ka qenë “skllav” dhe në disa marrëdhënie, ka dashur të kthehet në padronizëm. E dyta, e bën sepse ai do të ngelet në histori. Në histori, udhëheqësit më të mëdhenj kanë mbetur ata që kanë prishur ndërtesa. I pari që njihej për këtë metodologji është Jul Cezari. Edhe Justiniani prishi çdo ndërtesë të rëndësishme që i përkiste paganizmit.

Do t’i bëjë këto që të heqi çdo gjurmë të qytetërimeve të mëparshme që kanë kaluar, do të bëhet themeluesi, ideatori, babai i Tiranës së re. Stadiumi iku, u bë sipas Ramës, Teatri iku, Teatri i Kukullave pritet, do ta themelojë qytetin sipas imazhit të vet mbi të bukurën. Hormonet e tij të lumturisë aty lëvizin, nuk do i ndahet kësaj ideje, ai e beson këtë gjë. Padurimi i tij është se mos e pengojnë që këtë pikturë ta mbarojë deri në fund”, është shprehur Arjan Çuri.

“Të gjitha këto qëndrojnë, nuk i kontenstoj. Por mendoj se është më e thjeshtë se kaq. Aty do bëhen kulla, kaq e thjeshtë është”, ka thënë Adriatik Lapaj.

Ju mund të pëlqeni dhe këto