Flower
Flower

Premierë absolute, mos e humbisni baletin “Dhoma 12” në TKOB

Mbrëmjen e sotme është dhënë premiera absolute e shfaqjes “Dhoma 12”, e cila shënon dhe çeljen e sezonit për këtë vit në Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Dhoma 12” vjen me koreografi nga Manjola Hasani dhe Esdalin Gorani, ndërsa kjo shfaqje do të shfaqet dhe më 9 e 10 shkurt, ora 19:00 tek skena e “arTurbina”.

  Kjo vepër është e zhanrit kontemporan dhe është një krijim original i dy koreografëve. Një vepër me elementë të vështirë koreografik dhe me një intensitet të lartë lëvizjesh. Një balet ku baza është lëvizja, por që ndërthurja me elementët e jashtëm skenik, ndriçimin dhe elementet teknologjikë përbëjnë të gjithë veprën. Një formë e veçantë e të ndërtuarit të një vepre, e cila e zhvesh artistin nga rëndesa e kostumeve dhe ai paraqitet ashtu siç është, për të folur vetëm me gjuhën e trupit, veshur vetëm me emocionin e personazhit.

E gjithë shfaqja është e ndërtuar në 15 personazhe kryesorë, të cilët janë dhe solistët e veprës. Në qendër qëndron individi rreth të cilit rrotullohet gjithçka, jeta, historitë, hyrjet dhe daljet në dhomat e jetës dhe ndalesa, ose harresa. Çdo dhomë ka ndjesinë, tempin dhe përmbajtjen e saj. Në 12 dhoma luhen 12 ngjarje, emocione, ndjesi, kujtesa, deshira apo disfata. Në 12 dhoma jetohet për të lënë gjurmë kujtese, nesër nuk e dimë nëse do të na i atribuojnë kur mos të jemi më.

Në rol kryesor luan Eltion Merja, ndërsa solistë janë Ledia Sulaj, Anxhelo Muçollari, Adela Muçollari, Fatjon Lito, Elda Logo, Luixhino Hala, Lori Bala, Klevi Carkanji, Ledio Agalliu, Odeta Dishnica, Isida Mollaymeri dhe Amela Prifti.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto