“Mami, unë dhe mami”, mos e humbisni librin autobiografik të autores Maya Angelou

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Zonë e Lirë” ka qenë e ftuar Loreta Berhami, e cila ka promovuar librin e ri të botimeve “Pegi” me titull “Mami, unë dhe mami” nga autorja Maya Angelou.

Ky është një libër autobiografik i autores, e cila rrëfen për herë të parë marrëdhëniet me të ëmën e saj, Vivian Baxter, e cila e braktisi kur ishte 3 vjeçe.

“Maya ka qenë skenariste dhe aktiviste në SHBA. Ky është libri i saj i fundit, të gjitha librat në prozë janë autobiografik”, u shpreh Loreta. “Të gjithë kemi pak mëri ndaj prindërve tanë dhe këtu kemi një personazh që ka bërë një mëkat të madh, pra mamaja që ka braktisur fëmijën”, shtoi më tej.

Kur martesa e saj filloi të shkërmoqej, Vivian Baxter-i i dërgoi dy fëmijët (djalin e madh dhe Maya-n trevjeçare) tek e vjehrra, në Arkansas. Ndjenja e braktisjes, pasojë e kësaj ndarjeje të dhimbshme, do ta shoqëronte gjatë Angelou-n.

Dhjetë vjet më vonë, bashkimi i tyre do të shënonte pikënisjen e një historie të parrëfyer më parë. Duke eksploruar një ndër marrëdhëniet më të gjalla, shpërblyese dhe të ndërlikuara të jetës, “Mami, unë dhe mami” zbulon shërimin e plotë, të bazuar në dashuri, që kërkoi kohë dhe energji, por që në fund i dha autores forcën dhe kurajën për t’u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura.

Ju mund të pëlqeni dhe këto