Është tenor i njohur, Armaldo Kllogjeri zbulon arsyen pse kapërceu nga muzika klasike tek ajo popullore

Armaldo Kllogjeri, tenori dhe solisti i parë pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Shqipëri, është mbrëmjen e sotme i ftuar në “Zonë e Lirë”.

Me më shumë se 15 vite karrierë, ai ka interpretuar role kryesore në opera brenda dhe jashtë kufijve. Për herë të parë, Armaldo ka bërë një kapërcim nga muzika operistike tek një kolazh me këngë popullore.

“Unë e kam kënduar këngën popullore para se të këndoja muzikë klasike. Unë vij nga një trevë që e këndojmë shumë këngën popullore, nga Gramshi. Jam rritur me këtë muzikë, kam kënduar shumë këngë popullore në ambiente familjare, në gëzime familjare, deri në 2004, pasi mbarova Akademinë. Një vit para se të mbaroja Akademinë, fillova të ushtroja muzikën klasike.

Kalimi tek muzika popullore është një arsye e thjeshtë. Kjo periudhë ka qenë e mbyllur, pa aktivitete. Duke parë spektaklin ‘Këngë moj’ kërkova të këndoja muzikë popullore. Por nuk ka qenë ky qëllimi i vetëm, por edhe për të transmetuar një muzikë popullore ashtu siç është traditë. Kam vënë re që ka devijuar muzika popullore këto kohët e fundit. Fatkeqësia më e madhe është se po ndryshon edhe linja e këngës në muzikën popullore”, tha Armaldo.

“Ky është një kolazh që e kam përzgjedhur vet. Dy materialet nga kolazhi janë këngë të trevës time. Kemi shumë këngë qytetare të bukura pavarësisht se nuk i njohim”, u shpreh Armaldo për kolazhin me këngë popullore që mund ta dëgjoni më poshtë:

Ju mund të pëlqeni dhe këto