Çuri: “Rama përpiqet të zhveshi identitetin e tij ortodoks”, Dule: “Problemi me Greqinë është kryeministri”

“Përse Rama nuk i duron dot grekët?”, ka qenë pyetja e shtruar në emision, së cilës i është përgjigjur Arjan Çuri dhe Vangjel Dule.

“Ka një problem të madh midis Shqipërisë dhe Greqisë: Edi Rama. Zgjodhi në mënyrë të studiuar që të krijojë tension duke menduar se do ishte i kontrolluar në marrëdhëniet me Greqinë dhe se do ishte ai që do impononte rendin dhe axhendën e marrëdhënieve. Rezulton se kjo është me dëm të madh në interesat e Shqipërisë. Pse e bën këtë Rama? Bëri gabimin fatal të përfshirjes së politikës së jashtme në ballafaqimin e përgjithshëm politik për konsum politik ditor, duke besuar se do merrte kredibilitet në qarqet e atyre që pretendojnë se janë nacionalist dhe për rrjedhojë nuk dëshirojë marrëdhënie pozitive me Greqinë.

E dyta, mendoj se Rama në disa momente ngjan se luan lojë politike në marrëdhënie me Greqinë, jo në interes të Shqipërisë, por në interes të vendeve të treta. E treta, kujton se marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politika e jashtme mund të jenë aspekte politike që mund të luajë taktikisht siç bën në bashkëbisedimet me qytetarët”, tha Dule.

“Unë mendoj se asnjëra nga këto nuk është, është më e thellë. Ka një përplasje të fuqishme identitare Rama në brendësi të shpirtit të tij, është një argument psikologjik ky. Politikanët janë psikologë që qetësojnë turmat në mënyrë që ata mos t’i vrasin. Për mua, e gjej arsyen që Rama nuk i honeps dot grekët tek fakti i përplasjes së tij identitare. E pashë që ai po përpiqej të zhvishte veten  me çdo kusht nga identiteti i tij ortodoks, nuk e dimë akoma çfarë problemi ka, duke i dhënë një rëndësi të madhe qasjes katolike. Në ngatërresën e tij të të zhveshurit nga të qenurit ortodoks, u bë dhe anti-grek sepse e ngatërron të qenurit ortodoks me të qenurit grek. Ai për shkak të kësaj arsyeje, u bie edhe grekëve”, tha Çuri.

Ju mund të pëlqeni dhe këto