Aman se syri i keq kishte plasur ndaj më mirë që u shtynë negociatat

Nga Arian Çani

Brukseli botoi dje listën me kushte që Shqipëria duhet të plotësojë për të hapur negociatat në qershorin e vitit 2019.

Përveç kualifikimit të vështirë të Argjentinës, ky është kryelajmi që sheh sot gjithandej në rrjet dhe në print. Normale. Ndeshja u shty me një vit, ndërsa palët filluan direkt mbrojtjen dhe sulmin.

Opozita e quan dështim të Qeverisë, Qeveria e quan bast të fituar. Ndërsa Brukseli i thotë Edi Ramës: “Ke një vit kohë për të thelluar Vettingun”. Me fjalë të tjera, ke një vit kohë për të na provuar se sa seriozisht e ke për të dënuar të ligjtë dhe hajdutët e mëdhenj.

Unë për vete them: Më mirë që u shtynë negociatat se kishte plasur syri i keq gjithandej me gjithë këto reforma dhe transformime kaq të thella që kanë ndodhur në këto 5 vite në Shqipëri. Situata po përmirësohej kaq shumë sa xhelozia nuk mbante më. Syri i keq po bënte namin. Ekonomia po rritej me ritme të frikshme, papunësia po zvogëlohej në përmasa galopante, njerëzit kishin filluar të shkonin në punë duke kënduar, Tirana po zbukurohej aq shumë, saqë me mijëra të huaj po planifikonin braktisjen e vendit të tyre për t’u instaluar në bukuritë e këtij qyteti.

Aman! Syri i keq shumë! Tashmë që Brukseli na la dhe një vit kohë, loja është e thjeshtë. Rama duhet të mbledhi të vetët, duke përfshirë sigurisht Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme (sepse në këtë vend s’të dënon qeveria, por drejtësia) dhe t’i përvishet punës për të realizuar, deri në qershorin tjetër, kuotat e arrestimeve. Urgjent! Koha nuk pret!

Çfarë? Brukseli flet dhe për të drejtat e njeriut tek ky dokumenti? Pa merak. Ajo është frazë rutinë. Futet gjithandej. Është për syrin e keq.

Ju mund të pëlqeni dhe këto