Studimi/ Efektet negative të Ngrohjes Globale tek njerëzit, nga se do të humbasin jetën personat

Rritja e temperaturave nga ngrohja globale ka të ngjarë të shtojë vdekjet nga përplasjet në rrugë, dhunën, vetëvrasjet dhe mbytjet, sipas studimeve të reja, dhe do të prekë më së shumti të rinjtë. Vdekjet nga aksidentet dihet prej kohësh se janë sezonale dhe analiza e re përdori të dhëna për gati 6 milion vdekje në SHBA për të llogaritur ndikimet e një rritje të temperaturës me 2C. Shkencëtarët llogaritën se kjo rritje do të ndikojë në rreth 2.100 aksidente më të mëdha fatale çdo vit vetëm në SHBA.

Sipas studimit të publikuar nga The Guardian njerëzit kanë tendencën të dalin më shumë jashtë dhe të pinë më shumë alkool në ditët e nxehta, ndërsa temperaturat e larta dihet se rritin normat e dhunës dhe vetëvrasjeve. Studimet e mëparshme mbi ndikimin e ndryshimit të klimës në shëndet, janë përqendruar më së shumti në sëmundjet kronike siç janë sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet infektive duke përfshirë malarien.

Vdekjet nga aksidentet përbëjne aktualisht rreth 10% të të gjitha vdekjeve në të gjithë botën dhe ndikimi i ngrohjes globale në këtë fakt ishte studiuar shumë pak deri tani. “Rezultatet tona tregojnë se sa ndryshimi i klimës mund të prekë të rinjtë,” tha Prof Majid Ezzati nga Imperial College London. “Ne duhet t’i përgjigjemi këtij kërcënimi me një gatishmëri më të madhe për sa i përket shërbimeve të urgjencës, mbështetjes sociale dhe paralajmërimeve shëndetësore.”

Burimi: Dosja.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto