Flower
Flower

Ministri i Jashtëm grek flet mbi marrëdhënien me Shqipërinë: “Zgjerimi i vijës bregdetare prioritet i kryeministrit Cipras”

Ministri i Jashtëm grek (plotësues), Giorgos Katrugalos, ka dhënë një intervistë për radiostacionin “Real FM”, ku ka folur mbi ecurinë e marrëdhënieve bilaterale me Shqipërinë.

Në këtë intervistë, ministri grek ka folur mbi vonesën në negociatat me Shqipërinë, duke thënë se shkak janë bërë trazirat në Shqipëri, por edhe mungesa e përgjigjeve për minoritetin grek.

“Është e drejtë vërejtja për sa i përket vonesës në negociata, ka arsye, ne padyshim që marrim parasysh trazirat politike në vendin fqinj. Ndërkohë që duhet të marrim dhe përgjigje për çështjet e parashtruara dhe madhore të minoritetit grek: konkretisht janë dy ligje që referohen në të drejtat përkatëse, ligji për mbrojtjen e pasurisë së palëvizshme në bregun e Himarës, si dhe ligji i përcaktimit të identitetit, që ofron mundësinë e deklarimit si minoritar në procesin e regjistrimit. Janë dhënë disa përgjigje nga pala shqiptare, në një farë mënyre mund të them se kanë rifilluar diskutimet, por është akoma tepër herët të parashikojmë rezultatin. Megjithatë, theksoj sërish se vullneti ynë është ecuria dhe përmirësimi i çështjeve bilaterale, e përmes këtij përmirësimi të lirohet dhe rruga europiane për Shqipërinë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, ministri grek ka folur edhe mbi deklaratat e qeverisë greke dhe të ish ministrit Nikos Koxhias, për vijën bregdetare dhe zonën ekskluzive ekonomike.

“Zgjerimi i vijës bregdetare dhe përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike është ndër prioritetet e kryeministrit Cipras. Madje, zgjerimi i vijës bregdetare përfshihet në projektin e përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin, ky i fundit nëse realizohen negociatat e duhura. Bëhet fjalë për një vendim politik që sipas kryeministrit do të mbyllet me miratimin e legjislaturës përkatëse”, tha ai.

Megjithatë, ministri Katrugalos nuk ka caktuar një afat kohor për negociatat për paketën e çështjeve me Shqipërinë, që sipas tij janë në varësi të plotë të vendimeve për shelfin detar, por ka thënë se përbën një prioritet për Greqinë.

Ju mund të pëlqeni dhe këto