Lehtësohen masat kufizuese në Britaninë e Madhe, çfarë priten të hapen këtë javë

Prej javës së ardhshme, në Britaninë e Madhe mund të hapen restorantet dhe baret që shërbejnë në ambientet e jashtme, si dhe dyqanet jo të domosdosshme, si palestrat dhe parukeritë.

Në një konferencë për mediat, Boris Johnson ka deklaruar se zyrtarët britanikë janë duke analizuar rolin potencial të certifikatave për Covid-19.

Në dokumentet qeveritare është thënë se certifikata për status të koronavirusit nuk do të kërkohet asnjëherë në transportin publik dhe dyqanet e domosdoshme, mirëpo mund të luajë rol në kthimin e njerëzve në teatro, klube të natës dhe organizime të mëdha sikurse festivalet dhe ngjarjet sportive.

Kryeministri britanik ka thënë se qeveria “shpreson” që udhëtimet ndërkombëtare do të mund të rikthehen në fazën e ardhshme të lehtësimit të masave më 17 maj, mirëpo ka tërhequr vërejtjen se rritja e shkallës së infektimit në vende tjera të botës mund të ndikojë në këtë proces.

Zyrtarët britanikë planifikojnë të përdorin një sistem që do të kategorizojë shtetet në bazë të rrezikut, mirëpo pjesëtarë të qeverisë kanë thënë se ende është shumë herët për të vendosur cilat shtete do të futen në listën e gjelbër, në të cilën do të kërkohet test për koronavirus para dhe pas përfundimit të udhëtimit nga shtetet përkatëse.

Ju mund të pëlqeni dhe këto