Kancelari austriak: “Duhet të hapim shpejt negociatat me Shqipërinë”

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, në një prononcim për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, është shprehur se “Me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të hapim shpejt negociatat”.

“Kush kërkon të mënjanojë konfliktet në fqinjësinë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojë për stabilizimin, ai duhet t’u ofrojë një perspektivë të besueshme europiane vendeve në rajon”, ka thënë politikani austriak për gazetën gjermane “Welt am Sonntag.”

Austria mbështet Serbinë dhe Malin e Zi që kanë bërë përparime në pjekurinë për anëtarësim. “Edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të fillojmë të hapim negociatat”, është shprehur më tej Kurz.

Samiti i qershorit do të vendosë, nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në Gjermani, sidomos në partinë konservatore, CDU dhe CSU, por edhe në disa vende të BE-së ka ende rezerva për këtë hap. Por Komisioni Europian e mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Burimi: Balkanweb

Ju mund të pëlqeni dhe këto