Donald Trump e konfirmon: Takimi me liderin e Koresë së Veriut më 12 qershor në Singapor

Pas një sërë deklaratash të shumta, më në fund Donald Trump ka konfirmuar takimin me Kim Jong-Un, liderin e Koresë së Veriut.

Presidenti i SHBA-ve ka deklaruar se takimi me Kim Jong-Un do të mbahet më 12 qershor në Singapor. Kjo datë është vendosur pasi Trump ka bërë një takim në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarin e lartë të Koresë së Veriut, Kim Yong Chol, i cili është i pari përfaqësues politik i lartë i vendit diktatorial që bën një vizitë zyrtare në SHBA në 18 vitet e fundit.

Sipas BBC, Donald Trump u shpreh se gjatë takimit dy orësh me zyrtarin e Koresë së Veriut, u diskutuan një sërë çështjesh, si dhënia fund e luftës 70 vjeçare midis dy Koreve dhe sanksionet ndaj Koresë së Veriut, për të cilat ai tha se do të vazhdojnë të mbetet në fuqi.

Po ashtu, një rol të rëndësishëm në këtë proçes sipas Trump, do të kenë edhe Koreja e Jugut, Japonia dhe Kina, të cilat janë fqinjet e rëndësishme të Koresë së Veriut.

Për Trump takimi me liderin koreano-verior është shumë i rëndësishëm që t’i jepet fund luftës koreane.

Ndërkaq, kur u pyet nga gazetarët nëse e kishte hapur temën e të drejtave të njeriut në vendin diktatorial gjatë takimit me zyrtarin e Koresë së Veriut, Presidenti u shpreh se nuk ishte diskutuar si çështje, por se koreano-veriorët janë të interesuar në zhvillimin e këtij proçesi të vendit të tyre.

Kim Yong Chol një ditë më parë i dorëzoi Presidentit Trump një letër të udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un, por Presidenti nuk komentoi përmbajtjen e saj. I dërguari i Kim zhvilloi bisedime edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo.

Ju mund të pëlqeni dhe këto