Artikulli i “The New York Times”: “Prapaskenat që rrëzuan qeverinë e Albin Kurtit”

“The New York Times” i ka dedikuar një artikull rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit në Kosovë, ku shkruan se diplomacia amerikane dhe sjellja prej Ramboje e ambasadorit Grenell, kanë patur një rol në mocionin e rrëzimit.

Më tej në artikull thuhet se votimi është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diplomatët e së cilës i kanë bërë një presion të madh Kurtit për të pranuar aspektet e një marrëveshje paqeje amerikane në rajon.

Megjithatë, ky veprim u dënua nga Franca dhe Gjermania, dy shtete që lëshuan një komunikatë të përbashkët ku kritikonin pakujdesinë e rrëzimit të një qeverie gjatë pandemisë së koronavirusit.

Vëmendje në këtë artikull merr roli që Uashingtoni pati në përmbysjen e Albin Kurtit, ndërsa ky votim ka marrë vëmendjen e diplomacisë së administratës Trump në Ballkan.

Vota e mosbesimit ndaj Kurtit ka nxitur një mosmarrëveshje më të thellë rreth asaj se si zgjidhet bllokada dekadëshe mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky debat e ka vendosur Kurtin kundër Thaçit, një ish-lider gueril dhe kundër administratës së Trump. “Kjo është dukshëm pasojë e lojës së ashpër që amerikanët po e luajnë tani”, tha Wolfgang Petritsch, ish-emisar i BE-së në Kosovë.

Përpara se Kurti të vihej në pushtet, administrata e Trump u përpoq t’i jepte fund mosmarrëveshjes, duke ndërmjetësuar një marrëveshje mes Thaçit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Shtetet e Bashkuara e shtynë Kosovën të heqë tarifat si një gjest i vullnetit të mirë për qeverinë serbe. Duke shpresuar të arrijnë një marrëveshje të shpejtë, diplomatët amerikanë madje diskutuan idenë, dikur të pamendueshme, për kthimin e teritoreve të Kosovës në Serbi, duke alarmuar udhëheqësit evropianë që kishin frikë se ky veprim mund të rikthente konfliktin etnik.

Pas formimit të koalicionit të tij në shkurt, Kurti menjëherë punoi për të ngadalësuar procesin, duke e futur veten në një konfrontim me Uashingtonin.

Mes frikës se Thaçi kishte rënë dakord fshehurazi për ndarjen e Kosovës, Kurti mori përsipër të drejtën e tij kushtetuese për t’i drejtuar negociatat në vend të Thaçit, duke mbajtur njëkohësisht edhe  tarifat, si masë për t’i bërë presion qeverisë serbe.

“Kjo nuk është më çështje e presidentëve, këtij tonit dhe atij të Serbisë”, pati thënë Kurti në një intervistë për “The Times” muajin e kaluar. “Qeveria jonë, me mua si kryeministër, do ta drejtojë dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Kosovës është pjesë e politikës së jashtme, por ai s’mund të bëjë politikë të jashtme”.

Ky qëndrim e vuri Kurtin në konflikt direkt me Thaçin dhe me Richard Grenellin, i cili shërben i i dërguar special amerikan në këtë çështje.

Për të detyruar zotin Kurti në heqjen e tarifave, Shtetet e Bashkuara ngrinë miliona dollarë ndihmë Kosovës. Edhe Donald Trump Jr., i cili nuk ka asnjë rol zyrtar qeveritar, u pajtua publikisht me një senator amerikan që sugjeroi tërheqjen e paqeruajtësve amerikanë nga vendi. Këto komente i tmerruan kosovarët, të cilët e shohin praninë ushtarake amerikane si një garantues jetik të sigurisë së vendit.

Presioni amerikan u citua posaçërisht nga ish-partnerët e koalicionit të zotit Kurti si një arsye tjetër për t’u tërhequr nga qeveria e tij këtë javë.

“Kjo është njëfarë, si ta them, diplomaci ‘Rambo’”, tha Petritsch, duke e krahasuar qasjen amerikane me atë të protagonistit të famshëm të filmave aksion amerikanë. “Si dëm kolateral, ata do ta rrëzojnë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shtoi Petritsch.

Burimi: Lapsi.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto