Zyrtare: Nuk ka negociata të Shqipërisë me BE këtë vit, ja në cilin vit do të ketë

Ministrat e Jashtëm të BE-së shtynë hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në qershor të vitit 2019, pasi Franca, Holanda dhe Danimarka shprehën rezerva për dy vendet gjatë një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, në Luksemburg.

Lajmi u konfirmua edhe nga Presidenca bullgare në “Twitter”, e cila thekson se dy vendet, veç thellimit të suksesit të arritur në reforma, duhet të shënojnë progres në ato kyçe, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Me gjithë shtyrjen, Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn e cilësoi vendimin e ministrave të Jashtëm si një provë për vlerësimin e progresit të rajonit.

“Rrugëtimi drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të vitit 2019 është i qartë. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, shkruan Hahn.

Kryediplomatët e BE-së vendosën se do ta japin “dritën jeshile” vitin e ardhshëm, e jo tani siç shpresonte Greqia, sidomos pas marrëveshjes me Shkupin për çështjen e emrit.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias tentoi të qetësonte kolegët për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe tha se këmbënguli se situata gjeopolitike dhe gjeostrategjike në rajon kërkon mbështetje dhe jo shtyrje për të dyja vendet.

“Ishin dy linja të ndryshme, në njërin krah një shumicë prej 25 vendesh, që duan të hapin negociata me Shqipërinë dhe ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë deri verën e 2019-s, e në krahun tjetër Danimarka, Franca dhe Holanda, që duan të shtyjnë negociatat”, tha Nikos Kotzias.

Diplomatë europianë, në kushte anonimiteti konfirmuan se Shqipëria ka ende për të treguar në reformat kyçe para se të marrë hapjen e negociatave. Ndërsa për Maqedoninë theksuan se nuk mund të mbyllin sytë për procesin e anëtarësimit, vetëm sepse u zgjidh çështja e emrit me Greqinë.

Ju mund të pëlqeni dhe këto