Zbulohet rrjeti i shfrytëzimit të grave në Tiranë, 500 euro për njërën, dalin sms: “Qenka bishë fare”

“Më duhesh ti, me 100 për qind garant se janë njerëz shumë të mirë”, i shkruan në telefon vajzës personi që i gjen asaj klientelën. Ajo i përgjigjet: “Nuk dal dot se sot më ka dalë vëllai nga burgu|”. Ky komunikim mes vajzës, e cila ushtron prostitucionin në kryeqytet dhe “tutorit”, por edhe prova të tjera sikundër  përshkrimi që ai i bën asaj te njëri nga klientët, duke i  treguar edhe fotografitë e saj, ilustrohen në dosjen hetimore që Prokuroria e Tiranës e dorëzoi në gjykatë.

Prokuroria iu referohet përgjimeve të gjata të kryera ndaj grupit dhe transkripteve, por edhe vëzhgimeve ndaj disa të rinjve që në fakt rekrutonin vajza me dëshirën e tyre duke ju gjetur “punë”. Grupi përdorte gjithçka për të futur në grackë vajzat e reja, më të vjetrën, atë të gjuetisë së tyre si të dashura dhe në ndonjë rast edhe kërcënimin e tyre “se do t’i hidhnin fotot intime në rrjet në rast se ajo nuk bindej”. Hetimi nisi një vit më parë, pas kallëzimit të një nxënëseje në Liceun Artistik.

Në dosjen që ka siguruar Gazeta “Si”, vajza tregon në polici: “Në vitin 2017 u njoha me shtetasin B.B, të cilin e thërrasin Bushi. Krijuam lidhje. Kur ishim në hotel pranë Fushës së Aviacionit, ai më bëri me telefonin tim një video ku unë isha pa rroba. I kërkova ta fshinte dhe ai duke qeshur më mbajti edhe duart dhe e dërgoi në WhatsApp-in e tij. Më pas më tha se i fshiu, por i kishte ruajtur diku tjetër. Ishim ende të lidhur dhe në 2018-n duke përdorur ‘Instagram’-in tim (pasi kishte edhe passwordin tim) postoi disa nga këto foto. I kërkova ta mbyllte dhe u ndamë. Ai kërkoi që të lidheshim prapë, por nuk pranova. Më pas video nudo u hodh në faqen nexfac_albania dhe kjo gjendje më krijoi ankth dhe situatë të rënduar psikologjike”.

Por, ndërsa Prokuroria regjistroi hetimin për të riun për ndërhyrje në jetën private, një dëshmi e një vajze tjetër me emrin Ori dhe që është shoqja e nxënëses ka sjellë një version tjetër që ka shtuar dyshimet se i denoncuari mund të ishte një rekrutues femrash. Dëshmitarja ka rrëfyer se me shumë gjasë shoqja e saj ishte shfrytëzuar nga ish i dashuri.

Këqyrja e telefonit të B.B zbuloi komunikimin mes tij dhe një personi me emrin Vladimir,  ku kuptohet se ai ishte klient dhe i dyshuari gjente vajza në Tiranë. Në një bisedë tjetër telefonike, i dyshuari i shkruan një vajze me emrin Ilda. “Nëse ke ndonjë shoqe që pranon të punojë duke takuar meshkuj të ndryshëm kundrejt shumës prej 500 eurosh, më thuaj”.

Në një bisedë të tretë, B.B flet me Lenën, e cila ushtron prostitucion. “Të kam lënë një takim në orën 4” e njofton i  dyshuari, ndërsa vajza e pyet “pse kaq herët”. Tutori i përgjigjet: “Janë doktorë, kanë frikë nga gratë”.

Vajza tjetër që përdorej si prostitutë quhet Anxhela dhe është 22 vjeç. Ajo është dërguar veçmas për t’u gjykuar në gjykatën e kryeqytetit së bashku me klientin, me të cilin ajo u kap nga policia në kushtet e flagrancës.

Çfarë tregojnë përgjimet?

“Klienti, që është i martuar dhe jeton në Amerikë, quhet David.  Sapo mbërrin në Tiranë, ai telefonon “tutorin”. Më gjej një vajzë për një shokun tim, thotë ai në telefonin që ndërkohë po përgjohej. I dyshuari ka telefonuar si fillim një vajzë të rekrutuar prej tij, por pasi ka marrë përgjigjen “sonte jam e zënë”, ka telefonuar Anxhelën. “Sonte do takohesh me dy persona”, i  shpjegon “punëdhënësi”, por jo njëherësh, por në dy vende të ndryshme”.

Tutori kërkon më tej: “Rregullohu mirë se janë njerëz me pozitë”.

Tutori dhe porositësi David takohen në një lokal, shpjegojnë grupet e vëzhgimit të policisë. Në tavolinë me ta ulet edhe një person tjetër. Kamerat e sigurisë tregojnë se si Davidi nxjerr një tufë me euro dhe ia jep të dyshuarit. Tutori çohet nga tavolina dhe i shkruan në telefon Anxhelës: Ato i kam marrë unë.

Siç shpjegohet në dosje, tutori e ka marrë vajzën dhe sipas porosisë në telefon të klientit duhet ta dorëzonte në dhomën 205. Teksa tutori dhe Anxhela po udhëtonin drejt hotelit, atij i vjen një mesazh nga klienti që e porosit “Thuaji të japë maksimumin”. Kur policia ndërhyri në dhomën e hotelit arrestoi prostitutën dhe klientin që ka inicialet R. M. Hetimi zbuloi se vajza do merrte për shërbimet seksuale 100 euro, ndërsa për gjetjen e klientelës me marrëveshje 50 euro të tjera, do t’i merrte i  dyshuari si tutor.

Por vajza nuk është një personazh i panjohur për policinë. Anxhela është pyetur disa vite më parë kur ajo ishte nxënëse në shkollë dhe largohej pa treguar adresën. Në vitin 2011 kur ishte ende e mitur, për njërin nga këto largime, vajza pohon në polici:  “Quhem Anxhela, jam në vitin e parë dhe vazhdoj studimet në shkollën “Eqerem Çabej”, nuk kam marrëdhënie të mira me familjen, veçanërisht me babain, i cili është i papunë dhe më rreh mua. Babai më ka trajtuar përherë si të çmendur dhe në një rast ai më ka çuar edhe për vizitë në Spitalin 5. Por unë nuk vuaj nga asnjë sëmundje dhe kjo më ka detyruar që të largohem herë pas here nga shtëpia. Por përherë unë fle në shtëpinë e shoqes sime, Sara. Sa herë largohem kthehem përherë dy ditë më pas. Prindërit nuk më kanë blerë libra për shkollë. Po unë jam e zonja e vetes dhe kërkoj që askush mos të ndërhyjë në jetën time private”.

Pas kësaj deklarate. policia e mbylli çështjen dhe mori të mirëqenë në atë kohë rrëfimin e vajzës, pa hetuar njerëzit që ndërkohë sapo kishin nisur përpunimin e saj dhe pse jo edhe futjen e vajzës edhe në rrugën e përdorimit të drogës. Vite pas kësaj dëshmie që Gazeta “Si” e disponon bashkë me dosjen hetimore, vajza u arrestua për prostitucion.

Klientët

Në dobi të hetimeve që po vazhdojnë ende për B.B, prokuroria ka edhe mesazhe të klientëve të tjerë. Në një rast dikush pyet “Nëse ka ndonjë të re të jetë rreth 100* (100 mendon prokuroria nënkuptohet ose 10 mijë lekë ose 100 euro).

Mesazhi tjetër dërgohet në orën 20.21. Personi nën hetim merr një telefon nga shtetasi që prezantohet si Flori. Ai shton: “Do i  dërgoj numrin një shokut tim. Kam dy shokët e mi të mirë janë anglezë, do lidheni e flisni për më shumë”. Pas kësaj bisede, i   dyshuari e lidh në telefon një vajzë me emrin Ela. Por, në vijim i   hetuari i shkruan edhe një vajze tjetër: “Anuloje takimin me shoqet dhe mbaje telefonin ne dispozicion, do dalim me nja dy anglezë”.

Burimi: Gazetasi

Ju mund të pëlqeni dhe këto