Tronditëse/ Vajza 2 vjeçe rrihet nga edukatorja në çerdhe, mamaja kërkon drejtësi

Emisioni investigativ “Stop” ka publikuar një denoncim që ka ardhur nga Tepelena, ku prindërit e një fëmije kanë thënë se fëmija u është dhunuar në çerdhe.

Nëna është shprehur se e ka gjetur vajzën e saj 2 vjeçe me një shenjë pëllëmbe në fytyrë dhe tha se dikush nga personeli e ka goditur.

Edukatorja e çerdhes, Natasha Qeli, ka thënë se nuk ka parë asgjë pasi po merrej me një fëmijë tjetër. Ndërkaq, prindi kishte shkuar në Bashkinë e Tepelenës dhe ishte vendosur pushimi nga puna i edukatores.

Mirëpo pas këtij veprimi, përgjegjësja e ushqimit të çerdhes, zonja Shpresa Meta iu është përgjëruar prindërve që ta mbyllnin çeshtjen me aq dhe që edukatorja nuk kishte faj.

“Jam nëna e një fëmije 2 vjeç e gjysmë e cila para 3 muaj e gjysmë ka pësuar një traumë në çerdhen e rrethit të Tepelenës, sepse e ka goditur dikush aty në personel. Më thonë hajde të marrësh gocën sepse është shumë keq, po qan pa pushim dhe unë nuk po e pushoj dot. Edukatoret më thonë që goca është vrarë duke luajtur me fëmijët. Po goca ka shenja në fytyrë. Ka 5 gishta. Direkt kam lënë punën, jam nisur për tek edukatorja Natasha Çeli, duke i treguar foton që çfarë ka goca ime. Shumë e habitur dhe shokuar njëkohësisht, më thotë që nuk e kam idenë për çfarë po flet. I thashë, kush e ka idenë? Unë fëmijën ty ta kam lënë në dorë, nuk ja kam lënë dikujt tjetër. Jo s’e di, do jetë shtyrë me ndonjë fëmijë. Kjo s’është e shtyrë fëmijë, është pëllëmbë e një dore të rrituri tjetër aty.

Dhe më thotë që shko ankohu tek përgjegjësi se ka përgjegjës institucioni. Përgjegjësja është Shpresa. Shkoj në Bashki, sepse çerdhja varet nga Bashkia, dhe kërkoj aty përgjegjësen e institucionit. Zonja Arta më ka thënë që do ngremë një komision, të cilin e ngritën komisionin dhe pas 3 ditësh vendosën që të hiqnin nga puna Natasha Çelin, edukatoren e gocës. Deri këtu isha shumë e kënaqur me Bashkinë. Pastaj na shfaqet zonja Shpresë në shtëpi duke na ardhur dhe duke na kërkuar falje e përgjërime. Zëre se ta bëra unë, ja qëllomë mua dhe e mbyllim me kaq. Unë e kuptova që Natasha nuk e kishte bërë, sepse po ta kishte bërë nuk mund të rrinte pa reaguar. Do trembej, ose do thoshte më fal, unë e bëra. Kurse Natasha qëndroi stoike dhe mbi të gjitha mua Natasha më tha unë nuk kam parë gjë. Në momentin që mund të ketë ndodhur kjo, unë kam qenë duke ndërruar një fëmijë tjetër. Që do të thotë, fëmija im është qëlluar nga dikush tjetër aty. Dhe ajo që reagoi ishte Shpresa duke më ardhur në shtëpi.

Ndodhur në këto kushte, kuptova që znj. Natasha nuk kishte fare gisht në këtë punë, po ishte Shpresa ajo që e kishte bërë. Është mbledhur komisioni, unë kam tërhequr denoncimin për Natashën dhe kam lënë një deklaratë që në çerdhe ushtrohet dhunë nga personeli. Prita që të më telefononin, po deri më sot nuk është bërë asnjë gjë. Zonja Shpresa vazhdon të jetë atje, ndërkohë dhe mund të rrahë fëmijë. Dhe nuk ka një përgjegjës. Unë kërkoj që në atë institucion, ajo dorë të zhduket prej andej sepse aty janë shumë fëmijë të tjerë. Ata janë në një moshë që nuk flasin dhe nuk tregojnë dot se çfarë ndodh aty brenda. Dua drejtësinë e fëmijës tim”.

Kamera e fshehtë ka zbardhur një bisedë mes nënës dhe Shpresës, dhe toni i kësaj të fundit është shumë i dyshimtë.

Prindi-Si ka mundësi, që je akoma këtu ti?

Përgjegjësja Shpresa Meta-Çfarë kishe? Fol!

Prindi-Çfarë kam unë, apo çfarë ke ti?

Përgjegjësja Shpresa Meta-Unë s’kam!

Prindi-Ti s’duhet të jesh këtu!

Përgjegjësja Shpresa Meta-Në rregull!

Prindi-S’duhet të jesh fare këtu!

Përgjegjësja Shpresa Meta-Jo! Çfarë të të them unë?

Prindi-Çfarë do të thuash ti, që s’e bëre ti? Se nuk vjen kush të përgjërohet e të kërkojë falje, për një gjë, që s’e ka bërë!

Përgjegjësja Shpresa Meta-Çfarë të them unë?

Prindi-Çfarë të thuash ti? Ty të thashë, që tek shtëpia, që duhet të vesh të firmosësh, të ikësh vetë, se s’je për këtu! Ajo dorë, nuk duhet të jetë më këtu!

Përgjegjësja Shpresa Meta-Po mirë moj!

Prindi-Në rregull?

Përgjegjësja Shpresa Meta-Si të duash bëj!

Prindi-S’ke turp! S’ke turp moj, jo! Ti s’je as nënë, s’je as gjyshe, s’je asgjë! Nuk e di unë, se çfarë femre je ti! Ti, që ve dorë tek një fëmijë ashtu! Nuk e di unë se çfarë lloj njeriu je ti!

Zonja Meta është pyetur nga gazetarja e emisionit “Stop” në lidhje me dhunën ama ajo ka mohuar. Në këto kushte Bashkia ka vendosur të ngrejë një komision të dytë.

Burimi: “tvklan.al”

Ju mund të pëlqeni dhe këto