Tragjike/ Humb jetën gazetarja shqiptare teksa po lindte fëmijën

Një ngjarje tragjike ka ndodhur së fundmi, që ka tronditur median shqiptare. Një gazetare shqiptare ka humbur jetën teksa po lindte fëmijën e saj.

Ardita Sylejmani, gazetare në RTK në Kosovë, ka humbur jetën në Budapest të Hungarisë gjatë procesit të lindjes.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, gruaja ka hasur në disa komplikacione shëndetësore dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ajo nuk ka mundur të shpëtojë.

Ajo ka lënë pas tre fëmijë, përfshirë fëmijën e porsalindur. Raportohet se ajo ishte gruaja e Shpend Bllacës, që punonte në stafin diplomatik të Republikës së Kosovës në Budapest.

“Sot në moshën 32 vjeçare ka ndërruar jetë gazetarja dhe kolegia jonë e RTK-së Ardita Sylejmani. Me këtë rast Drejtori Gjeneral i RTK-së Ngadhnjim Kastrati e ka lëshuar një telegram ngushëllimi në të cilin thuhet:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges, gazetares së dhomës së lajmeve Ardita Sylejmani – Bllaca. Ardita dha një kontribut të madh në RTK gjatë tërë kohës sa ka punuar në dhomën e lajmeve. Prandaj, humbja e saj është humbje e madhe për Radio Televizionin e Kosovës.

Përkushtimi në punë në secilën detyrë që iu është besuar, si dhe dashuria për profesionin, bëjnë që Ardita Sylejmani – Bllaca të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve.

Familja Sylejmani, familja Bllaca si dhe kolegë të RTK-së dhe më gjerë pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e saj nga jeta”, shkruan në ngushëllimin e rastit Radio Televizioni i Kosovës.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto