Statistikat e emigracionit/ Ekspertët: “Po ikin qytetarët që kanë standarte të mira jetese”

Instituti i Statistikave ka bërë të ditur se janë 38.703 mijë shqiptarë që kanë emigruar gjatë vitit 2018.

Sipas ekspertëve, kjo situatë është shumë serioze dhe ata kërkojnë ndërhyrjen e klasave politike që të ndalohet ky fenomen sepse të rinjtë e kualifikuar po largohen.

Sociologu Gëzim Tushi thotë për Deutsche Welle-n, se emigracioni i viteve të fundit është krejt i ndryshëm nga ai i viteve ’90, i cili sipas tij kishte karakter politik dhe preku të gjithë shtresat shoqërore. “Tani po përballemi me një emigracion që unë e quaj të vonuar, i cili ndryshon nga ai i viteve ’90. Ndryshon nga përmasat, nga motivimet, nga arsyet, nga shkaqet, nga struktura sociale e atyre që largohen.”

Sipas ekspertit, Gëzim Tushi ata që po braktisin sot vendin janë të lodhur nga pritja e vazhdueshme për zbatimin e reformave në ekonomi, politikë, arsim dhe shëndetësi. Faktorët e shumtë, arsyeton Tushi, çojnë edhe në një sërë pasojash të rënda për shoqërinë shqiptare.

E reja e këtij emigracioni, dhe shqetësuese për ekspertët është ai që ata e quajnë emigracioni elitar. “Një pjesë e mirë e qytetarëve që po largohen janë përgjithësisht qytetarë që kanë një standard të mirë jetese në Shqipëri. Pra, kanë pasuri, kanë prona dhe kanë ndërtuar një standard të caktuar jetese. Por ata gjejnë nivelin e shërbimeve shumë problematik, sistemin e shëndetësisë dhe të edukimit problematik. Qytetari ndjehet i pa përfaqësuar, qytetari ndjehet pa zë dhe ndjehet i pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen politike të vendit”.

Edhe Gëzim Tusha vëren dallime në fenomenin e emigracionit, krahasuar me atë të viteve të para pas diktaturës. “Nëqoftëse emigrantët e viteve ’90 ishin një masë gri nga pikëpamja demografike dhe nga pikëpamja sociale, ky emigracioni i vonuar i këtyre viteve të fundit është pak i zgjedhur. Është elitar”.

Por sipas ekspertit Selami Xhepa, rol në këtë situatë luan edhe tregu i punësimit. “Nga ata 1 milion njerëz që janë larguar, gati 40% e tyre janë me aftësi të dallueshme për punë, janë “skilled labor” dhe largimi i “skilled labor” krijon probleme serioze për tregun e brendshëm për të gjetur profesionistë të aftë për profesione të caktuara. Për më tepër kjo ka krijuar edhe një efekt psikologjik të demoralizimit edhe të atyre që janë këtu, të cilët nuk shikojnë alternativë krijimin e aftësive për punë për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës por sërish shikojnë si alternativë ikjen jashtë vendit. Kështu që edhe sfida për të ardhmen mbetet më serioze në kuptimin e produktivitetit, sepse fakti që largohet “skilled labor” do të thotë që çështja e produktivitetit të fuqisë punëtore do të jetë një problem serioz dhe që do të manifestohet në vitet në vazhdim”.

Burimi: DW

Ju mund të pëlqeni dhe këto