Skandali/ Sanitarja e Senatoriumit hiqet si infermiere, i merr vajzës 8 mln lekë për t’i shëruar të ëmën

Emisioni “Stop” transmetoi mbrëmjen e së martës rastin skandaloz në spitalin Covid 2, ku një sanitare hiqej si infermiere dhe i mori një të reje një shumë të madhe parash për t’u kujdesur për të ëmën e shtruar për shkak të koronavirusit. Por kjo e fundit fatkeqësisht ndërroi jetë.

E reja thotë se nëna e saj 55-vjeçare kishte 28 ditë e shtruar në spital, qysh në fund të nëntorit. Ajo bëri skanerin dhe doli me Covid-19. Familja mori mjek privat dhe oksigjen, por 55-vjeçares i plasi hemorragji nga hundët dhe vajza u detyrua ta çojë në spital.

Vajza tha se kishte shkuar te spitali dhe aty i ishte shfaqur një person që i ishte prezantuar si infermiere, shtetasja Tire Dervishi. Vajza e të ndjerës që ndërroi jetë thotë se Dervishi që hiqej si infermiere ishte sanitare në të vërtetë dhe e mashtroi.

Lekët i merrte ajo dhe më pas ajo ja shpërndante lekët mjekëve dhe infermierëve. Vajza merrte lekë borxh për të mbajtur gjallë nënën e saj. Vajza e të ndjerës mori informacion që Tirja ishte sanitare në katin e tretë dhe jo infermiere, dhe vendosi që ta denoncojë në emisionin investigativ “Stop”.

Komunikimet nëpërmjet WhatsApp-it të vajzës dhe nënës së saj 55-vjeçare, e cila ndërroi jetë në spitalin Covid 2, faktuan se edhe shërbimi, edhe përkujdesja ndaj të ndjerës, nuk kanë qenë ato që pretendohen.

E ndjera është ankuar se Tirja i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale ajo detyrohej t’i kryente në krevat.

“Fakti që mami im iku, u nda nga kjo jetë, unë kam dyshimet e mia që ka pasur një trajtim shumë të ulët. Nuk ka marrë trajtimin e duhur. I ka munguar ushqimi. I çoja ushqim, mami më thoshte më ka sjellë vetëm supë, ndërkohë që unë i çoja duke filluar nga kosi, kosi i frutave, lëngjet e shtrydhura. Mamit i çonte vetëm supën. Atëherë duke qenë se mamaja ime ishte me 5 burime oksigjeni nuk ishte në gjendje që të ngrihej në tualet vetë dhe duhej që të mbante pampersa. Kishte 4 ditë pa marrë klizmën, ndërkohë kjo më thotë që e ka marrë klizmën, ka marrë edhe lekët. Më ka marrë 40 mijë lekë atë natë, sepse normalisht do të ndërrohet dy-tre herë. Mami më shkruan në mesazh dhe më thotë: Mami, nuk më kanë bërë klizmën. Ky ishte dyshimi i parë. Katër ditë ia kanë lënë në sirtar. E pyeta, po më tha që e ka bërë. Kam mesazhet e mamit që më thotë po vuaj shumë se nuk më bëjnë klizmën. Pjesa e dytë ishte që kam sërish bisedat në telefon që më thotë mami më kanë larguar karrigen e ushqimit, më kanë larguar edhe ujin dhe kanë ardhur duke bërtit, më kanë thënë: do hash dhe po pish vetëm lëngje. Do hash kur do të them unë sepse zonja që është sanitare e ka merak të të ndërrojë, ndërkohë që mua më merrte lekët. Kjo nuk ka ku të shkojë, gjë më të rëndë, t’i largojë karrigen e ushqimit një të sëmuri që është me 5 burime oksigjeni, ka nevojë për ujë gjatë gjithë kohës”, tregoi vajza e viktimës.

Ju mund të pëlqeni dhe këto