Rrëfehet e bija e 85 vjeçarit që vdiq nga koronavirusi në Indonezi: “E përcolla e vetme në banesën e fundit”

Disa ditë më parë, 85 vjeçari Ruzhdi Ishmi humbi jetën në Indonezi si pasojë e koronavirusit. Së fundmi, vajza e tij, Denada Ishmi, ka bërë një rrëfim prekës për të atin për emisionin “Opinion”, duke thënë se e përcolli atë për në banesën e fundit e vetme.

“Isha e vetmja që e përcolla e fundit trupin e pajetë të babait. Askush tjetër nuk lejohej dhe nuk mund të  ishte në funeral. Ai dha frymë më 20 Mars, 12 ditë pasi ishte konfirmuar si i prekur nga koronavirusi. Autoritetet më pyetën nëse doja që ai të prehej në një varrezë, apo të çohej krematorium, ku mund të merrja hirin e tij. Bashkë me motrat, Ema në Durrës e Alba në Itali, vendosëm ta çonim në varreza, këtu në Indonezi me shpresën që një ditë të mundem ta kthej në Shqipëri dhe të ketë një funeral ashtu siç e meritonte”, tha ajo.

Ruzhdi Ishmi ishte inxhinier në fabrikën e cigareve në Durrës. Tërmeti i Nëntorit iu kishte shkatërruar banesën dhe e bija i kishte marrë në Xhakarta ku ajo jetonte.

“Flas për të dhe lotët nuk i mbaj dot. Ende nuk e di se si u infektuan me koronavirus babi, nëna dhe bashkëshorti. Prindërit e mi jetonin në Durrës. Pas tërmetit të 26 Nëntorit banesa e tyre u dëmtua. Dolën nga shtëpia sepse ishte e pabanueshme, kaluan një situatë të vështirë”, ka treguar Denada.

Përveç 85 vjeçarit me Koronavirus dolën dhe bashkëshortja e tij dhe dhëndri. Denada nuk është prekur.

“Babi dukej më mirë, vetëm se kalonte shumë kohë në gjumë. Kur edhe babit i filloi kolla shkuam tek mjeku dhe insistuam për të bërë testin. Të dy rezultuan pozitivë. Edhe Martini bashkëshorti im doli pozitiv, por nuk kishte shenja ndërsa unë nuk isha prekur. Në fillim dukej më e vështirë gjendja e mamit, por fatmirësisht ajo e mori veten. Ndërsa babi ai që duke më mirë, më pas u rëndua, derisa shkoi në intubim me respirator. Nuk e kaloi dot, zemra e tij nuk e përballoi. Dha frymën sapo mbaroi falja e së premtes. Iku në Qetësi, në paqe, dhe shpresoj që është në paqe edhe atje ku shkoi”, ka rrefyer e bija.

Burimi: “tvklan.al”

Ju mund të pëlqeni dhe këto