Pandemia e Covid-19/ Përgjysmohet turizmi në vend, Veriu më i godituri

Kufizimet për shkak të situatës së COVID-19 bënë që Shqipëria të përjetonte një turizëm të dobët në sezonin veror me gati përgjysmim të tij.

Të dhënat e Institutit të Statistikave përmes Anketës së Turizmit “Strukturat Akomoduese” në tremujorin e tretë të vitit tregojnë se numri i vizitorëve në këto struktura gjithsej është ulur me 43,3 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019. E njëjta tendencë në ulje është shfaqur edhe për net qëndrimet tregues që është ulur me 44,9 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Në raport me atë çka kanë preferuar turistët kur vjen fjala tek bregdeti apo mali dominon i pari pasi 79 për qind e tyre kanë preferuar detin. Nga ana tjetër Jugu mbetet rajoni më frekuentuar ku 42.1 për qind e netëqëndrimeve në këtë tremujor ka qenë pikërisht në këtë rajon.

NSTAT vlerëson se nëse do të analizojmë sjelljen e vizitorëve rezident nga netë qëndrimet, vërehet se vizitorët rezident shqiptarë kanë preferuar të pushojnë gjatë muajve Korrik, Gusht dhe Shtator në Rajonin e Jugut duke shpenzuar 5,3 % netë qëndrime më shumë, në Zonat Bregdetare duke shpenzuar 10,7 % netë qëndrime më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Nga ana tjetër Veriu ka marrë goditjen më të madhe me një rënie të netëqëndrimeve me mbi 50 për qind. Po kështu efekti negative në frekuentimin e Veriut ndjehet edhe për faktin që përfshin disa prej pikave më interesante malore dhe që zakonisht frekuentoheshin nga të huajt që për këtë sezon nuk mundën të vinin. Çekët, polakt, gjermanët apo dhe grupe të tjera të organizuara kanë qenë ndër vite frekuentuesit më të mëdhenj të Veriut kryesisht Theth, Valbonë.

INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të tretë 2020 është shënuar rënie e numrit të vizitorëve  ku numri i vizitorëve rezident është ulur me 9,2 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019 ndërsa numri i vizitorëve jo-rezident është ulur me 59,3 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Nëse do të analizojmë vizitorët rezident sipas rajonit, afërsisë me bregdetin dhe llojit të strukturave akomoduese, treguesi që nuk ndjek këtë ecuri është numri i vizitorëve rezident të cilët kanë pushuar në Rajonin e Jugut duke u rritur me 0,4 %, në Zonat Bregdetare është shënuar rritje me 25,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm” thuhet në anketë.

“Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij tremujori, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 19,2 %, kundrejt 38,2 % që ishte në tremujorin e tretë 2019. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 18,4 %, kundrejt 43,4 % që ishte në tremujorin e tretë 2019” thuhet në publikimin e INSTAT.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto