“Në çastet më të errëta shqiptarët treguan virtytet më të mira”, mjekia shqiptare në Itali letër Ramës

Kozeta Proko është një mjeke shqiptare që punon në provincën e Trevizos në Itali, e cila ka falenderuar shtetin shqiptar për stafin prej 30 mjekëve dhe infermierëve që dërgoi në Itali për të ndihmuar në përballimin e situatës ndaj koronavirusit.

Proko është shefe e sektorit të hematologjisë dhe auto-imunitetit në laboratorin e analizave të Castelfranco Veneto dhe Montebelluna. Në këtë letër, ajo ka falenderuar shtetin shqiptar për këtë gjest.

“I nderuar Kryeministër Rama, Në botë 30 mijë viktima me COVID-19, një e treta e vdekjeve vetëm në Itali! Ritme të larta infeksioni ne Spanjë, Britani dhe Gjermani Askujt nuk i shkonte ndërmend që Shqipëria, vendi i vogël përtej Adriatikut, i goditur vetëm pak muaj më parë nga tragjedia e tërmetit shkatërrimtar, të mund të gjente forcën e resurset e të dërgonte një ekip mjekësor prej 30 vetësh, për t’i qëndruar pranë mikes së vjetër e të shtrenjtë të të gjithë shqiptarëve, Italisë. Dita e re, këtu në provincën e Trevizos, të gjithë shqiptarëve, ne veçanti ne mjekëve shqiptarë qe jetojmë e punojmë në Itali, na gjeti krenar! Këta kolegë, me punën e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës, janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike të popullit shqiptar…ndihmesën e mikut në ditë të vështira. Në çastet më të errëta të dallgëve të historisë, ne shqiptarët kemi treguar virtytet tona më të mira. Jemi duke jetuar ditë të vështira, në një betejë që kërkon sakrificë prej secilit prej nesh. Nëse këta kolegë kanë lënë pas familjet e shtëpitë e tyre, në emër të betimit të shenjtë në mbrojtje të jetës, ju lutem të gjithë ju të tjerëve të qëndroni në shtëpi! Të kemi të gjithë besim tek masat mbrojtëse të menjëhershme që institucionet e Shqipërise ditën të ndërmerrnin, të cilat i përgëzoj. Për të mirën tonë, të familjarëve e të afërmve tanë, në respekt të sakrificës e punës së gjithë mjekëve, që fitorja e kësaj beteje të jetë sa më e afërt…QËNDRONI NË SHTËPI!!!”, shprehet mjekja Proko në letrën e saj drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Ju mund të pëlqeni dhe këto