Ndërron jetë Ver ‘Llapa’, personazhi VIP që argëtonte njerëzit në rrugët e Tiranës: “Sfidove mjerimin në këtë botë hipokrite”

VIP-i më i varfër në kryeqytet, i njohur si Ver Llapa, ka ndërruar jetë ditën e djeshme. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur drejtori i Institutit Kombëtar për Integrimin e Jetimëve, Ilir Çumani.

Në një reagim në rrjetet sociale, Çumani shkruan se Llapa e sfidoi mjerimin duke jetuar në këtë botë hipokrite, tinëzare e të marrë fund, ndërsa e ka cilësuar si një njeri të mrekullueshëm.

 “PËRSHPIRTJE PËR NJERIUN E MIRË….Jetove në mes tonë duke e sfiduar mjerimin tënd të bardhë në këtë botë hipokrite, tinëzare e të marrë fund, duke u tallur aq bukur e mençurisht me ironinë e fatit, gjithë gazmend e stoik, plot indiferentizëm e shpërfillje të gjithë këtij realiteti absurd ku bashkëjeton në mënyrë të pistë dhe absurde superluksi i pakicës së pushtetshme me mjerimin masiv të shumë të ngjashmëve të tu, si për të treguar se asgjë në këtë jetë nuk është e pafundme…
Ndaj, asgjë nuk duhet marrë seriozisht… Ishe engjëlli më i bukur dhe më i pafajshëm mbi këtë tokë, një dëshmi e gjallë ku luhet drama njerëzore, shkaktuar prej makutërve të panginjur e zemër katranë të pashpirtë, por të pangjashëm me pafajësinë dhe shpirtin tënd të bukur e të dëlirë naiv…
Ik VERI, prehu i qetë prej gjithë atij stërmundimi e përvuajtje të paepur që dëshmove në jetën tënde, një sakrificë prej cigani e bohemi që aq shumë ta adhuroja… Pusho në Paqe o NJERI ….. I mrekullueshëm i Zotit. R.I.P”, shkruan Çumani.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto