I merrnin para shoferëve që mos t’u hiqnin patentat, përfundojnë në pranga 5 efektivë

Pak më parë, Policia e Shtetit ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se ka arrestuar 5 efektivë të Policisë Rrugore. Ata akuzohen për korrupsion, pasi merrnin para që mos t’u hiqnin patentën shoferëve.

Punonjësi i policisë, Fiqiri Xhani, është lënë në masën arrest me burg, ndërsa dy efektivë të tjerë, Anisa Metani dhe Bujar Allko janë lënë në masën “Arrest shtëpie”.

Gjithashtu, janë pezulluar nga detyra, Emiljano Kaçeli dhe Florjan Dimraj, ndërsa është caktuar masa “detyrim paraqitjeje” për qytetarin Fatjon Luga.

Njoftimi i policisë:

SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për 5 punonjës policie dhe 1 shtetas, për korrupsion

Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2019 regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal, në ngarkim të punonjësve të policisë së Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Në përfundim të aplikimit të metodave speciale të hetimit janë grumbulluar prova paraprake, mbi bazën e të cilave Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur masat e sigurimit në ngarkim të shtetasve:

“Arrest me burg” për punonjësin e policisë Fiqiri Xhani, 58 vjeç, nga Tirana;

Duke u nisur nga rrethanat familjare referuar të dhënave të gjendjes civile (fëmijë nën moshën 3 vjeç) caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest shtëpiak” për punonjësen e policisë Afinisa Metani, 25 vjeçe, nga Tirana;

“Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë Bujar Allko, 48 vjeç, nga Tirana;

“Pezullim i ushtrimit të detyrës”, për punonjësin e policisë Emiljano Kaceli, 28 vjeç, nga Tirana;

“Pezullim i ushtrimit të detyrës” për punonjësin e policisë Florjan Dimraj, 38 vjeç, nga Tirana;

– “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin Fatjon Luga , 35 vjeç, nga Tirana, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”.

SHÇBA nxit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.

Ju mund të pëlqeni dhe këto