Gruaja i humbi jetën gjatë lindjes së djalit, historia prekëse e burrit që duhet të rrisë i vetëm 4 fëmijët

Xhevahire Halilaj u nda nga jeta në moshën 34 vjeçare më 29 dhjetor 2019, si pasojë e komplikacioneve pas lindjes së djalit të saj të katërt.

Si pasojë, bashkëshorti i saj, Xhevat Halilaj, ka mbetur i vetëm dhe po kujdeset për katër fëmijët. Ata jetojnë në fshatin Bicaj të Kukësit.

Momentet e 29 dhjetorit që supozohej të ishin të mbushura me gëzim, u kthyen në momentet më të tmerrshme për Xhevatin, i cili mori lajmin e trishtë për humbjen e bashkëshortes. “Nuk isha i përgatitur fare për këtë”, është shprehur ai.

Vogëlushi i lindur me 26 dhjetor, të cilit i kanë vendosur emrin e të ndjerës, Xhevahir, prej më shumë se dy javësh ndodhet në QSUT si pasojë e një sëmundjeje të veshkave të diagnostikuar që në muajin e shtatë të shtatzënisë. 7 ditë pas lindjes, i vogli i është nënshtruar ndërhyrjes së parë në veshka. Fatmirësisht kjo ndërhyrje rezultoi e suksesshme dhe foshnja është nën vëzhgimin e mjekëve të Pediatrisë në QSUT.

“Tre fëmijët e tjerë janë në Kukës. Unë shkëputem vazhdimisht që vij të shoh djalin e të flas me mjekët në Tiranë, por fëmijët nuk i lë dot gjatë vetëm se janë të vegjël dhe nëna e babai im janë të moshuar e të sëmurë, nuk kujdesen dot për ta”, shprehet Xhevati. Me ndihmën e familjarëve të tij, ai po mundohet të zhvendoset në Tiranë, për t’i qëndruar pranë vogëlushit, i cili do të qëndrojë në spital për një kohë të gjatë.

Familja është në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe për t’iu ardhur në ndihmë është hapur një llogari për mbledhje fondesh dhe kushdo që ka mundësi mund të ndihmojë sadopak:

https://www.gofundme.com/f/help-4-children-of-mother-who-died-in-childbirth

Burimi: Iconstyle.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto