AMF: Një vit pas tërmetit, 92.5% e praktikave të dëmeve janë paguar

Një vit pas tërmetit të nëntorit 2019, kompanitë e sigurimeve kanë paguar mbi 90% të dëmeve.

Sipas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, 92.5% e praktikave të dëmeve ishin paguar deri në fund të nëntorit 2020. Sipas shifrave zyrtare të AMF-së, tërmetet sollën mbi 6200 dëme për tregun e sigurimeve në Shqipëri. Statistikat e AMF-së tregojnë se për periudhën janar-nëntor 2020, kompanitë e sigurimeve paguan 2.76 miliardë lekë ose rreth 22.3 milionë euro.

Kjo shumë është 562% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe njëkohësisht shuma më e lartë që është paguar deri më sot nga kompanitë e sigurimeve për dëmet nga fatkeqësitë. Pavarësisht nga kjo, shuma e paguar nga industria e sigurimeve ka një peshë shumë të ulët në raport me dëmin total të tërmeteve, që u vlerësua në më shumë se 1 miliardë euro.

Sipas siguruesve dhe AMF-së, tregu në përgjithësi u përgjigj mirë për dëmshpërblimin e pronave të dëmtuara nga tërmetet, edhe për shkak se në pjesën më të madhe këto rreziqe ishin të risiguruara.

Vlerësohet se vetëm 2.5% e numrit të përgjithshëm të banesave në Shqipëri janë të siguruara nga tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore. Në shumicën dërrmuese, këto sigurime janë praktikisht të detyrueshme nga bankat, për garantimin e pronave të lëna si kolateral për kreditë e marra.

As pas tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019 nuk vërehet ndonjë rritje domethënëse e sigurimit të banesave nga shqiptarët. Për 11 muajt e vitit 2020, primet e shkruara bruto për sigurimin e pronave ishin më pak se 10 milionë euro, 9.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, në numër kontratash, sigurimet e pronës janë rritur me vetëm 3% me bazë vjetore.

Menjëherë pas tërmetit, qeveria u duk e gatshme të merrte në konsideratë sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore. Për këtë qëllim, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përcolli në qeveri një draft të përgatitur që në vitin 2015 dhe të mbështetur në sugjerime të hershme të Bankës Botërore.

Skema ishte e ndërtuar sipas modelit të zbatuar në Turqi dhe parashikonte sigurimin e detyrueshëm të banesave për një shumë në intervalin mes 15 dhe 25 euro në vit. Skema do të menaxhohej nga një agjenci publike e krijuar enkas për këtë qëllim, pa përfshirë direkt në të kompanitë private të sigurimeve. Por, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, qeveria nuk ka propozuar asnjë projektligj për këtë qëllim.

Marrë nga Monitor

Ju mund të pëlqeni dhe këto