Alarmi/ Popullsia e Shqipërisë po rrudhet me ritme të shpejta, ja kush grupmoshë mbizotëron

Në të dhënat e fundit të INSTAT, raportohet se në janar në 2019, popullsia e grupmoshës 0-24 vjeç ra me mbi 31 mijë persona në raport me vitin 2018.

Rënia më e madhe i përket grupmoshës 15-24 vjeç me më shumë se 17 mijë persona. Rrudhja e popullsisë në këtë grup moshë lidhet edhe me flukset e larta të emigracionit dhe lindjet më të pakta viteve 1997. Në këtë periudhe Shqipëria përjetoi një eksod masiv për shkak të trazirave civile.

Gjithashtu rënie e numrit të lindjeve nga viti në vit po tkurr me shpejtësi numrin e foshnjave. Në vitin 2019 grup mosha 0-4 vjeç u pakësua me 6700 persona, teksa numri i lindjeve në tërësi vitin e kaluar ishte 6.3 për qind më e ulët se në vitin 2018.

Në grup moshat 0-54 vjeç në përgjithësi ka rënie të popullsisë në raport me një vit më parë, teksa shihet se, rritje ka vetëm për grup moshën 29 deri në 39 vjeç.
Ndryshimet e popullsisë në raport me 2018 tregojnë se ka një rritje të ndjeshme të popullsisë mbi moshën 55 vjeç me rreth 30 mijë persona më shumë se një vit më parë.

Piramida e popullsisë, ndryshime drastike në raport me 2011

Piramida e popullsisë në vitin 2011 sipas të dhënave të censit kishte një bazë më të gjerë se kjo e vitit 2019, çka do të thotë se popullsia në moshë të re 0-24 vjeç ishte më e madhe se sa aktualisht, teksa shihet se në tetë vite piramida e popullsisë po merr gjithnjë e formën e një veze duke ngushtuar bazën dhe duke zgjeruar në majë.

Në raport me totalin e popullsisë, rënien më të madhe e pati grup mosha 15-19 vjeç. Në vitin 2018 kjo grupmoshë zinte 7.48% të totalit të popullsisë, ndërsa në vitin 2019 zuri 6.09% të totalit të popullsisë duke shënuar rënie me 0.24 pike përqindje. Ndërsa rritjen më të madhe e pati grupmosha 60-64 vjeç pesha e së cilës në totalin e popullsisë u rrit me 0.24 pikë përqindje në totalin e popullsisë.

Ndikimi

Tregjet e punës kane nisur të sforcohen për krah pune, sidomos sektori i bujqësisë. Teksa sistemet e pensioneve dhe sigurimeve në tërësi do të përballen me deficite të larta nga rënia e numrit të punonjësve që paguajnë sigurimeve dhe atyre që përfitojnë pension. Një popullsi e plakur ul produktivitetin demografik dhe e ndikon për keq rritjen e qëndrueshme të ekonomisë. Disa sektorë të tillë, si fasoni, bujqësia, mjekësia dhe call center kanë nisur të vuajnë pasojat e mungesës së forcës së re të punës. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në një analizë të posaçme për dinamikën e forcës së punës të publikuar së fundmi, vënë në dukje se, është hera e parë që vendi ynë ndeshet me një zhvillim të tillë demografik, deri tani i panjohur nga ekonomia jonë.

Analistët e Bankës Qendrore lajmërojnë se rrjedhojat e tij shpejt do të fillojnë të ndihen në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore në vend, duke filluar nga nivelet e ndryshme të arsimit e deri tek implikimet më të rëndësishme ekonomike të lidhura me prodhimin e brendshëm, produktivitetin, konsumin, skemat e sigurimeve shoqërore, standardin e jetesës etj.

Burimi: Monitor

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto