Skandali i sanitares që zhvati 8 mln lekë, Kryemadhi: “Absurde që familjarët nuk flasin dot me të afërmit në spitale”

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka folur në takimin e saj me banorët e njësisë nr. 10 në Tiranë mbi vajzën që denoncoi sanitaren e spitalit Covid2 që i kishte zhvatur 8 milionë lekë për t’i shërbyer nënës së saj.

Kryemadhi ka deklaruar se ky rast ishte flagrant dhe e ka konsideruar absurde faktin që familjarët nuk komunikojnë dot me të afërmit që kanë të shtruar në spitale.

“Rasti i djeshëm i vajzës që ka paguar 8 milion lekë për të ëmën te COVID-2 ka qenë flagrant. Është absurde mënyra se si familjarët nuk mund të komunikonin dot me të afërmit e tyre pacientë dhe kjo gjë u faktua dje. Problemi është shteti që duhet të jetë institucioni që ju përgjigjet njerëzve, sepse ne prandaj paguajmë taksa dhe kemi vendosur rregulla.

Ky shtet është kthyer në një xhelat të qytetarëve. Megjithatë ajo që e shikoj në të gjitha takimet dhe bashkëbisedimet është që njerëzit kanë dëshirën e madhe për të ndryshuar këtë realitet dhe ky është një avantazh i madh. Unë në takimet që kam me qytetarët u them që secili nga ne duhet të bindë një familjar, një mik, një shok që të shkojë më 25 prill të votojë, sepse votimi është një nga pikat kryesore të ndryshimit. Ndëshko atë që sillet keq me ty”, tha Kryemadhi.

Ju mund të pëlqeni dhe këto