Sa po shpenzojmë për argëtim? Ja cili qytet renditet pas Tiranës

Sipas INSTAT, artet, argëtimi dhe kultura kontribuojnë vitet e fundit me 3% në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë.

Në vlerë absolute, shpenzimet për argëtim 4 vitet e fundit kanë qenë rreth 40.6 miliardë lekë në vit, ose rreth 325 milionë euro (sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, mbështetur në vlerën totale të shtuar bruto, të raportuar nga INSTAT).

Në degën e ekonomisë art, argëtim dhe kulturë përfshihen një sërë aktivitetesh, shfaqjet artistike deri tek aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve, nga aktivitetet në muze dhe biblioteka te palestrat dhe aktivitetet e tjera çlodhëse.

Pjesa më e madhe e kësaj shume të shpenzuar ka shkuar për lojërat e fatit (kompanitë kanë raportuar rreth 130 milionë euro në vit të ardhura), aktivitet ky që nga 1 janari i këtij viti është tashmë i ndaluar me ligj.

Vetëm në Tiranë, shpenzimet për argëtim llogariten në rreth 210 milionë euro në 2017-n, ose gati 60% e shumës që shpenzohet për këtë qëllim në të gjithë vendin.

Edhe pse mbahen për “kurnacë”, kur vjen puna tek argëtimi gjirokastritët nuk e shtrëngojnë dorën. Kjo degë e ekonomisë zinte 3.2% në totalin e vlerës së shtuar të ekonomisë së qarkut. Pesha e kësaj dege të ekonomisë në Qarkun e Gjirokastrës ka shënuar rritje krahasuar me vitin 2015, ku zinte vetëm 2.6% të totalit të vlerës së shtuar.

Qarku i Korçës renditet i treti. Korça është shndërruar në vitet e fundit si destinacion i turizmit kulturor, me vizitorë vendas dhe të huaj. Vlera e shtuar bruto nga kjo degë e ekonomisë në Qarkun e Korçës për 2017-n përllogaritet 2.9%. Aktiviteti në këtë degë të ekonomisë ka pasur tendencë rritëse edhe në Korçë, pasi në 2015-n vlera e shtuar bruto përllogaritej 2.4%.

Ndryshe nga qarqet e mësipërme, vlonjatët i kanë kufizuar qejfet. Vlera e shtuar bruto për këtë degë të ekonomisë shënoi 1.9% të totalit, nga 2.3% që ishte në 2015-n. Ndonëse Qarku i Vlorës është një zonë turistike e frekuentuar, njerëzit kanë mbledhur dorën me shpenzimet për art, argëtim dhe çlodhje.

Vendi i Vlorës është zëvendësuar nga Durrësi dhe Lezha, të dyja destinacione turistike. Në 2015-n, Durrësi renditej në vend të shtatë për sa i përket peshës së argëtimit në ekonominë totale të qarkut, ndërsa dy vite më vonë kapërceu tre vende për t’u renditur i katërti.

Qarqet me shpenzimet më të ulëta për argëtim janë Kukësi me 1.6%, Elbasani me 1.5%, Berati me 1.3% dhe Fieri me 0.9%.

Ju mund të pëlqeni dhe këto