“Privilegj unikal dhe vështirësi”, Linda Rama zbulon favoret dhe kushtëzimet e të qenurit gruaja e kryeministrit

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ka dhënë një intervistë të gjerë për “London Business Magazine”.

Në këtë intervistë, ajo ka thënë se është një privilegj unikal të jesh  gruaja e kryeministrit të një vendi që shumica e njerëzve i beson të udhëhiqet.

Por ajo në këtë intervistë ka treguar dhe privilegjet dhe kushtëzimet e këtij posti, ndërsa thotë se kujdeset që Edit t’i japë mbështetjen e saj të pakursyer.

Pjesë nga intervista:

Lexuesit tanë janë shumë kuriozë – si është të jesh bashkëshortja e Kryeministrit?

Është një privilegj unikal që shumica e njerëzve të vendit tënd beson të udhëhiqet nga njeriu që ti ke zgjedhur për të kryer udhëtimin e jetës dhe për të ndarë barrën e mirërritjes së fëmijëve të tu. Është një përgjegjësi marramendëse po ashtu, që të bën të jetosh në mënyrë konstante me peshën e sëkëlldisë që vjen nga dëshira e madhe e plotësimit të pritshmërive të njerëzve dhe frika e humbjes së besimit të tyre. Është një shans sfidues për të kontribuar për të tjerët nga një pozitë e veçantë, në një kohë kur vendi yt ka shpresa e ëndrra të mëdha që përballen përditë me limite të diktuara nga e shkuara e me vështirësi të panumërta të jetës së përditshme të njerëzve. Por është edhe një kufizim i një lloji krejt të veçantë, në jetën tende të përditshme që s’do guxoja ta quaja sakrificë në respekt të shumë e shumë njerëzve që sakrifikojnë nga pozitat e tyre për fëmijët e familjet e tyre, po që sidoqoftë të kushtëzon jashtë mase dhe pa pushim.

Cilat janë angazhimet tuaja publike si bashkëshorte e Kryeministrit?

Profili i bashkëshortes së Kryeministrit është një zgjedhje personale. Në këtë zgjedhje, e para bindje që kam patur dhe që vijoj të kem, është që publiku me të drejtë kërkon dhe meriton protagonizmin efektiv të njeriut që ka votuar për kryeministër, jo të gruas apo burrit të të parit të qeverisë. Edi erdhi në postin e kryeministrit 6 vite më parë me një agjendë reformash tepër të vonuara dhe po kaq të vështira. Ballafaqimi i vendit me një agjendë transformimi besoj impresionuese në të gjitha planet, është i rëndë qoftë në planin publik e politik, qoftë në planin personal e familjar. Presioni i pritshmërive dhe stresi në kërkim të rezultateve, janë pjesë e pandarë e këtij ballafaqimi. Unë jam përpjekur t’i jap Edit mbështetjen time të pakursyer, brenda kuadrit të një protagonizmi dobiprurës, pa e lenë atë asnjëherë vetëm e njëkohësisht pa i bërë hije, por duke qenë gjithnjë vetvetja qoftë nën çatinë e shtëpisë, qoftë nën dritën e vëmendjes publike.

Cila është arritja juaj më e madhe në jetë?

Kam një familje të bukur, lumturia e jashtëzakonshme e së cilës janë tre fëmijët tanë. Ndërkohë që, përpjekjet e pandërprera për shkollim dhe dije, me punë këmbëngulëse dhe pasion, më janë shpërblyer në rezultate të spikatura profesionale, duke arritur gjithçka kam synuar në planin akademik dhe profesional. Kështu, mund të them që jeta është treguar bujare me mua. Por, përtej këtyre dy aspekteve thelbësore besoj për këdo, mendoj që arritja më e madhe e imja është ruajtja përtej viteve e sfidave, e ndjeshmërisë gjenuine ndaj botës e njerëzve, duke arritur të mbetem e paafektuar nga cinizmi.

Si e shikoni pozitën e Shqipërisë në skenën botërore në pesë vitet e ardhshme?

Ka ndodhur një zhvillim mbresëlënës në Shqipëri pas viteve ‘90, po sipas meje veçanërisht në këto pesë vitet e fundit, të cilat kanë hedhur bazën e një kthese historike edhe në raport me kthimin e vendit në një atraksion turistik. Besoj që pesë vitet e ardhshme do ta konsolidojnë këtë bazë, duke hapur përfundimisht portën e zhvillimit të qëndrueshëm për Shqipërinë. Uroj që këto vite të afërta të konsolidojnë përfundimisht edhe perspektivën europiane me çeljen e zhvillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Mbase është pak po më duket e sigurt, se pas pesë vjetëve që vijnë, Shqipëria do të ndahet njëherë e mirë nga hijet e të shkuarës.

Burimi: London Business Magazine

Ju mund të pëlqeni dhe këto