“Vetëm përpjekje nga PS për ta shkatërruar”, opozita kërkon takim për të mbyllur procesin e Reformës Zgjedhore

Përfaqësuesit e opozitës në grupin politik për Reformën Zgjedhore kanë propozuar që të hënën, më 25 maj, të zhvillohet mbledhja e rradhës për të përmbyllur sa më shpejt Reformën.

Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI kanë dërguar një letër përfaqësuesve parlamentarë në këtë grup, Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, ku kanë vënë në dijeni për këtë qëndrim edhe partnerët ndërkombëtarë në këtë proces, BE, SHBA, OSBE dhe KiE.

“Reforma aktuale ka filluar me kërkesë të Opozitës në 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qene e pamundur përmbyllja e saj”, thuhet në letrën e opozitës, ku përmendet se për shkak të shkeljes së standardeve nga ana e mazhorancës për 3 procese zgjedhore me radhë, reforma zgjedhore është rikthyer si një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me BE.

Opozita në letër nënvizon përpjekjet e qeverisë për të dështuar procesin dhe thekson duihet vullnet për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë patur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik. Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike”, shkruajnë Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Ju mund të pëlqeni dhe këto