Takimi me delegacionin e Komisionit të Venecias, Bylykbashi: “Parlamenti u përpoq të kapte ndërkombëtarët”

Komisioni i Venecias ka nisur sot turin e takimeve me përfaqësuesit e partive politike në vend, ku fillimisht u takuan me ish deputetin demokrat Oerd Bylykbashi dhe ish ministren Klajda Gjosha, që shërbeu si përfaqësuese e LSI.

Pasi ka mbaruar ky takim, Bylykbashi u shpreh për mediat se parlamenti u përpoq të bënte lojë të pistë tek ndërkombëtarët lidhur me shkarkimin e presidentit Meta.

Ai u shpreh se presidenti s’mund të shkarkohet pasi nuk pranoi zgjedhjet farse. Ndërkohë, Bylykbashi u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR ishte lajmërim me vdekje për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Parlamenti në lojën e tij të turpshme donte të bënte pjesë ndërkombëtarët për të kapur të gjitha pushtetet, përfshi dhe presidentin e Republikës. Presidenti shkarkohet vetëm nga gjykata Kushtetuese. Presidenti i dha garancinë shqiptarëve që zgjedhjet të bëheshin në një datë tjetër me kushte të mira. Në këtë lojë të turpshme, parlamenti tentoi të bënte palë ndërkombëtarët. Ne ja bëmë të qartë dhe aspektin politik arsyet se pse kemi ardhur në këtë situatë. Raporti i OSBE/ODHIR është lajmërimi vdekjeje i zgjedhjeve në Shqipëri. Atë që e përmend në mënyrë të qartë presidenti i Shqipërisë se pse në qershor nuk mund të kishte zgjedhje”, tha Bylykbashi.

Ndërkohë, përfaqësuesja e LSI-së Gjosha tregoi detaje nga takimi me delegacionin e “Venecias”. “Diskutuam një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE. Qeveria do duhej të fokusohej në plotësimin e kushteve për marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave, ne merremi me një çështje të rëndë, që është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen, për të mbuluar raportin e OSBE/ ODIHR, që tregon qartë se në Shqipëri zgjedhjet janë pa standarde. Parlamenti dhe mazhoranca kërkojnë të bëjnë politikë me çdo gjë”, pohoi ajo.

Ju mund të pëlqeni dhe këto