Takimi i Bashës në Durrës me qytetarët, Manastirliu: “E tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie”

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar pasi kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me qytetarët në Durrës. Ajo shkruan se si ministre është tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie.

“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh!

Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!

Zoti Basha mund t’i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!

U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!”, shkruan ministrja Manastirliu.

Ju mund të pëlqeni dhe këto