Rama thirrje prokurorit të Durrësit: “Po luajnë sikur është vakti i fundit”

Kryeministri Edi Rama ka folur së fundmi mbi rezultatet e Reformës në Drejtësi, ku ka thënë se është duke sjellë një pastrim rrënjësor dhe madhor të sistemit të kalbur.

Gjatë forumit të dytë rajonal me temë  “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, Rama i dërgoi një tjetër mesazh të koduar prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, teksa tha se “disa prokurorë nuk po luajnë mirë”.

“Reforma në Drejtësi po sjell një pastrim rrënjësor dhe madhor. Shumë gjyqtarë, prokurorë, kryeprokuror, drejtues prokurorish janë shkarkuar nga Vettingu. Kemi një sërë prokurorësh e gjyqtarësh që e dinë se nuk mund ta kalojnë Vettingun. Ata po luajnë sikur është vakti i fundit, pra nuk po luajnë mirë dhe duan që t’i kenë të gjitha. Ky proces i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presioni e dhune”, tha Rama.

Kujtojmë se kryeministri e ka akuzuar prokurorin Ndoja se ka lidhje me bandat kriminale. Ditë më parë, ai e paralajmëroi se s’do t’i shpëtojë Reformës në Drejtësi.

Ju mund të pëlqeni dhe këto