“Rama po përhap panik për protestën”, PD i përgjigjet deklaratës së policisë

Pas deklaratës së Policisë së Shtetit, ku bënte thirrje për mospërdorimin e retorikave që mund të nxisin dhunë në protestën e opozitës që është planifikuar më 16 shkurt, ka ardhur reagimi i Partisë Demokratike.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, është shprehur për mediat se Rama po përhap panik nëpërmjet policisë për protestën, duke planifikuar një skenar krimi.

Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi dhe zemërimi i shqiptarëve, Edi Rama i vetmuar shfaqi sot gjithë pasigurinë e tij, kur urdhëroi policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal”, tha Bardhi.

Ai theksoi se PD garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në protestën e 16 shkurtit.

“Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit pasi e dinë mirë se kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën në qeveri dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë policinë e Shtetit të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve, të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre përndryshe secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore. Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi, ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar”, deklaroi Bardhi.

Ju mund të pëlqeni dhe këto