“Rama në Kuvendin gjysmak shkelën me këmbë ligjet”, Basha dhe aleatët: “Nuk i njohim ndryshimet kushtetuese”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkë me aleatët e PD, kanë reaguar pas ndryshimeve të Kushtetutës në Kuvend. Para mediave, Basha ka thënë se opozita nuk i njeh ndryshimet që ka prodhuar Kuvendi pa miratimin e opozitës së bashkuar.

Basha ka shtuar se opozita e bashkuar do të bëjë koalicion bashkë me qytetarët për të larguar nga posti kryeministrin Rama, që sipas tij, po bën çdo gjë të mundur për të mbajtur pushtetin.

“Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Kuvendi, çirak i intresave personal të Ramës. Sot, Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës. Interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij. Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet.

Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin. Kurrë më parë në historinë tonë 30 vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet. Ato kanë qenë një produkt konsensual, pavarësisht situatave të rënda politike që kemi kaluar në 3 dekada. Kurrë më parë në 30 vjet, një kryeministër nuk ka vënë në mënyrë kaq brutale, interesin e vet personal, mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.

Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten. Rama kërkon të marrë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve për të ruajtur karriken e tij. Sepse siç ka bërë deri më sot, Shqipëria i është dashur Ramës vetëm për interesat e tij personale. Nuk do t’ia dalë! Akti i sotëm sot është treguesi i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron. Ai e ka humbur besimin e shqiptarëve dhe e vetmja që i ka mbetur, është të përpiqet sërish ta manipulojë sistemin, duke menduar se mund të zgjasë agoninë e pushtetit e tij të rrënuar. Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët.

Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret. Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm. Koalicioni ynë është me njerëzit, është me shqiptarët. Ne jemi bashkë për ta bërë këtë ndryshim. Ne duam dhe do të kujdesemi për vendin tonë, që ai të marrë prapë frymë lirisht”, tha Basha.

#LulzimBasha #LIVE – Deklaratë për mediat sëbashku me me aleatët

#LulzimBasha #LIVE – Deklaratë për mediat sëbashku me me aleatët

Posted by Partia Demokratike e Shqipërisë on Thursday, July 30, 2020

Ju mund të pëlqeni dhe këto