Protesta e studentëve, reagon Rama: “Ka zhurmë kazanesh, dizinformim me dashje”

Pas protestës së studentëve që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit kundra rritjes së tarifës së studimit, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Ai i ka replikuar një komenti të një ndjekësi në Facebook, i cili i kërkon që t’i gjejë zgjidhje problemit të studentëve. Në këtë koment, Rama e quan këtë situatë si një zhurmë kazanesh dhe dizinformim me dashje.

“Me falni po e para ministrja s’është as pa shkollë as me UFO, ndryshe nga cfarë ju mund të keni mësuar nëpër kazanet mediatike, ndërkohë që pyetja ime është: A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentët ngelës? Unë për vete nuk jam dakord e para dhe e dyta nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vete universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare) po ka zhurmë kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe këmbëngulje nga një pakicë për të mos pranuar zbatimin e reformës që e nxjerr universitetin nga bataku shumëvjecar. Sa për fotot, unë nuk kam ndërmend ti le, por ju mund të mos hyni këtu dhe kështu shpëtoni edhe nga fotot”, shkruan Rama.

Ju mund të pëlqeni dhe këto